Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit ka mbajtur të martën një takim me përfaqësues të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, me qëllim të diskutimit dhe koordinimit të veprimeve për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Në takim morën pjesë edhe Drejtori për Siguri dhe Emergjenca si dhe përfaqësues nga Inspektorati i Komunës së Prishtinës. Temë kryesore e diskutimit ishte respektimi i rregullores për orarin e punës dhe ligjit për rendin dhe qetësinë publike.
Policia dhe inspektorët komunal theksuan nevojën për zbatim të ligjit dhe paralajmëruan ndërmarrjen e masave konkrete ndaj të gjithë shkelësve.
Nga ana e Shoqatës së Gastronomëve u shpreh gatishmëria për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe u zotuan për respektimin e plotë të orarit dhe rregulloreve në fuqi.
Ky takim u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimit të rendit publik në kryeqytet./Katror.info