Për të tre ditë radhazi, prej 8 deri 10 gusht 2025, Rruga B në Prishtinë shndërrohet në një galeri të hapur për artin urban, në Edicionin e 9-të të Festivalit Ndërkombëtar të Grafitit “Meeting of Styles Kosova” një nga ngjarjet me impaktin më të madh kulturor e social në vend që nga viti 2017.
Nën moton “Kauza e Zgjedhur”, këtë vit festivali do të bashkojë 100 artistë nga 29 shtete për të krijuar vepra të fuqishme që reflektojnë mbi ndikimin e zgjedhjeve personale në të ardhmen kolektive. Artistët ftohen të shprehin empatinë, shpresën dhe dashurinë përmes muraleve dhe ndërhyrjeve artistike që e transformojnë hapësirën publike në një hapësirë të dialogut dhe reflektimit.
“Tema ‘Kauza e Zgjedhur’ na fton të shohim nga brenda jashtë: të ndërtojmë nisur nga empatia, të shohim veten tek tjetri, e të kontribuojmë për një të ardhme më humane për të gjithë. Përmes artit, bashkëpunimit dhe dashurisë ndaj jetës, e bëjmë këtë të mundur.” theksojnë organizatorët nga Q’art – Qendra për Zhvillimin e Artit.
PROGRAMI
Tri ditë ngjarjesh me përqëndrim te pasuri të artit, edukimit dhe kulturës urbane:
1. Grafiti Showcase – transformon hapësirë urbane me artistë nga e mbarë bota.
2. Punëtori për Artin dhe Industrinë Kreative – dedikuar edukimit dhe zhvillimit profesional për të rinjtë.
3. Pika Informative e Turizmit Urban – promovon Prishtinën si një destinacion unik kulturor.
4. Prishtina Graffiti Showdown – një garë kreative mes artistëve më të mirë të momentit.
5. Urban Bazaar – hapësirë për artizanë dhe krijues lokalë.
6. Prishtina Street Soundbooth Vol. 5 – performanca live me artistë të rinj dhe të afirmuar nga skena muzikore.
Hyrja është pa pagesë! Festivali do të jetë i hapur çdo ditë nga ora 16:00, duke ofruar përvoja për të gjitha moshat dhe interesat./Katror.info