Sipas raportit të fundit të publikuar nga Gallup, Republika e Kosovës renditet në vendin e 12-të globalisht për ndjenjën e lartë të sigurisë, duke u pozicionuar kështu ndër 14 shtetet më të sigurta në botë. Po ashtu, sipas Indeksit të Rendit dhe Ligjit, Kosova zë vendin e 8-të mes dhjetë shteteve kryesore, shkruan Katror.info.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vlerësuar këto rezultate si pasqyrë të vizionit dhe përkushtimit të qeverisë dhe institucioneve të sigurisë në vend. Ai theksoi se punonjësit e institucioneve të sigurisë kanë demonstruar profesionalizëm të lartë, duke garantuar rendin, ligjin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët.
“Ky vlerësim është dëshmi e progresit që ka arritur Republika e Kosovës në ndërtimin e një shoqërie të sigurt dhe të qëndrueshme. Është reflektim i përkushtimit të institucioneve tona dhe besimit të qytetarëve në një të ardhme ku rendi, ligji dhe siguria mbeten themele të shtetit tonë,” shkruan Sveçla në postimin e tij.
Ai shtoi se këto rezultate përbëjnë një motivim shtesë për të vazhduar punën në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend./Katror.info