Pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se nesër, e mërkurë në ora 11:00, do të vazhdojë seanca konstituive.
Presidenca e Kosovës e ka cilësuar këtë proces si “urgjencë shtetërore” dhe ka kërkuar konstituimin e menjëhershëm të institucioneve, duke theksuar se vonesat po dëmtojnë kredibilitetin dhe përparimin e vendit.
“Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit. Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”. Zvarritja e deritanishme ka dëmtuar jo vetëm kredibilitetin e institucioneve e zhvillimin e vendit, por edhe përparimin e vendit në arenën ndërkombëtare.”, thuhet nga presidenca.
Ky institucion apelon tek të gjithë deputetët që të veprojnë me përgjegjësi të plotë, në frymën e bashkëpunimit dhe të mirëbesimit, “në mënyrë që shteti të ecë përpara i konsoliduar dhe t’i përmbushë me sukses proceset e rëndësishme që e presin Kosovën në forcimin e pozitës së saj si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht”. /Katror.info