Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka ndarë për herë të parë në mënyrë të sinqertë detaje për marrëdhënien e saj me të fejuarin, aktorin britanik Callum Turner, gjatë një interviste ekskluzive për edicionin “Global Icons” të revistës Harper’s Bazaar U.S..
Në një rrëfim të rrallë për jetën e saj personale, artistja shqiptare 29-vjeçare pranoi se ka rënë në dashuri me një intensitet të madh, duke theksuar se është gati të jetë e ndjeshme dhe e hapur ndaj dashurisë, edhe nëse kjo do të thotë të rrezikojë të lëndohet.
“E dua dashurinë. Është diçka e bukur dhe frymëzuese. Gjatë gjithë kohës e gjej veten duke rënë në dashuri në mënyrën më të mirë të mundshme. Edhe pse ndjeshmëria është e frikshme, ndihem me fat që e përjetoj,” tha ajo për Harper’s Bazaar, raporton Katror.info.
Nga takimi i parë tek fejesa
Çifti u njoh për herë të parë në fillim të vitit 2024 dhe e bënë lidhjen publike disa muaj më vonë. Në fund të 2024-s, ata u fejuan, me Dua që prej asaj kohe është parë shpesh me një unazë diamanti në dorë.
“Po, jemi të fejuar. Është një ndjenjë e veçantë – të vendosësh të plakesh bashkë, të ndash jetën me mikun tënd më të mirë,” deklaroi Dua.
Sipas saj, ata kishin pasur shumë “momente të rastësishme” (Sliding Doors moments), kur ndodheshin në të njëjtin vend në të njëjtën kohë pa e ditur, para se të prezantoheshin zyrtarisht në restorantin River Café në Londër.
Një vit më vonë, gjatë një darke në Los Anxhelos me mikun e saj Mustafa the Poet, Callum u shfaq papritur, duke e bërë Dua të kujtohet për të: “Oh, është ai djali i pashëm nga River Café.” Më pas, zbuluan se të dy po lexonin të njëjtën kohë romanin Trust nga Hernan Diaz. Ajo tha: “Një mijë për qind e ndjej që ishte e shkruar të ishim bashkë.”
Për jetën personale dhe të ardhmen
Dua, e cila feston 30-vjetorin këtë muaj, foli gjithashtu për planet familjare dhe sfidat që mund të sjellë një fëmijë në karrierën e saj si yll global.
“Do të doja të kem fëmijë një ditë, por gjithmonë shtrohet pyetja: kur është momenti i duhur? Si do të përputhej me turnetë e mia? Sa kohë do të më duhej të shkëputesha?”, u shpreh ajo.
Megjithëse ende nuk ka filluar të planifikojë dasmën, Dua tha se ka nisur të mendojë për fustanin e saj të nusërisë: “Nuk kam qenë kurrë tipi që ëndërron për një dasmë, por papritur po mendoj: ‘Çfarë do të vesh?’”
Rruga drejt vetëbesimit

Në intervista të mëparshme, Dua ka pranuar se lidhjet e mëparshme e kanë bërë të humbasë vetëbesimin, por përmes reflektimit dhe rritjes personale, ajo ka mësuar të kuptojë çfarë kërkon në një marrëdhënie.
“Në çdo marrëdhënie mëson për veten – çfarë të lëndon, çfarë pret dhe çfarë je gati të japësh. Duhet të falësh, të rritesh dhe të pranosh të kaluarën për të ecur përpara,” i tha ajo Zane Lowe në një intervistë për Apple Music 1.
Ajo përmendi gjithashtu rëndësinë e “jo-negociueshmeve” në lidhje, që sipas saj janë thelbësore si në dashuri, ashtu edhe në miqësi.
Në shoqërim të intervistës, Dua Lipa pozoi për një set elegant për Harper’s Bazaar, duke veshur stilime nga Chanel, përfshirë një fustan të bardhë të prerë, një kostum lëkure të zezë dhe një bralette me stilin ikonik të Madonnës. Në një nga imazhet më të dalluara, sfondi ishte vetë Kulla Eiffel – simbol i dashurisë dhe elegancës./Katror.info