“Ka nisur si hobi dhe tani më është bërë profesion, e dikur stil jete. Kam nisur kur nuk ka pasur as trepikësh, as semaforë, as kosh me faul. Kam vazhduar në ligat e një shteti që sot as nuk ekziston, dhe në ligat e një shteti që po e themelonim vetë, pa ditur kur ajo ëndërr do të realizohej. Kam luajtur në beton, në sallat e sporteve, në palestrat e shkollave fillore, kam transmetuar Ligën e Kosovës nga sallat e ftohta me telefon statik për radio. Kam transmetuar NBA-n dhe Lojërat Olimpike” – rrëfen Blerim Vuniqi, ish-basketbollist dhe gazetar sportiv me përvojë të gjatë në Kosovë.
Por kur u mbajt kampionati i parë për femra në basketboll në Jugosllavi? Kur u shpall kampione e Serbisë ekipi i femrave të Kosovës, dhe cilat ekipe morën pjesë, sipas Blerim Vuniqit?
Në vitin 1951, ekipi i femrave të Kosovës u shpall kampion i Serbisë.
Sipas raportimeve të gazetës Koha, në finalen e kampionatit republikan Kosova u përball me ekipin e Poletit nga Volloshinovo, siç quhej atëherë qyteti Novi Beçej në Vojvodinë.
Thuhet se finalen e parë e kishte fituar Poleti me gjashtë pikë dallim, ndërsa në ndeshjen e dytë Kosova fitoi me 15 pikë dallim.
Në vitin 1952, Kampionati i Jugosllavisë për femra u organizua në formë turneu me vetëm katër ekipe: Crvena Zvezda e Beogradit, Lokomotiva e Zagrebit, Proleter i Zrenjaninit dhe Split. Kështu që Prishtina nuk luajti në ligën e parë. Për këtë gjë u pritën 25 vite të tjera.
Ky rrëfim vjen në kuadër të dokumentarit “4 Çerekët – Episodi 1”, i cili sjell për herë të parë historinë e basketbollit kosovar. Dokumentari, me autor dhe producent Leart Hoxha dhe intervista të realizuara nga Blerim Vuniqi, është prodhim i Katror Media dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“4 Çerekët” është i strukturuar në katër episode, një ndarje simbolike që pasqyron formatin e një ndeshjeje basketbolli, duke lidhur dramatikën e lojës me historinë reale të sportit në vend. /Katror.info