Kosova, një vend i pasur me histori, kulturë dhe peizazhe natyrore mahnitëse, ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit. Megjithatë, sektori i turizmit është ende në fazat e hershme të zhvillimit dhe ka shumë mundësi të pashfrytëzuara për të tërhequr vizitorë nga mbarë bota.
Pavarësisht kësaj, ekspertët e turizmit janë optimistë se me përpjekje të koordinuara dhe promovim të duhur, Kosova mund të bëhet një destinacion i pëlqyer dhe i vizituar nga turistët ndërkombëtarë.
“Turizmi malor ose turizmi rural ka filluar të marrë një hov, sipas statistikave tona që i kemi prej terreni dhe si Odë, kemi informacione se Kosova ka kapacitete të bollshme për t’ju ofruar turistit lokal një akomodim ashtu si duhet”, tha Luan Bajramaj, nënkryetar i Odës së Hotelerisë së Kosovës.
Ndërkaq, nga Unioni i Turizmit të Kosovës thonë se Kosovën turistët e huaj në shumicën e rasteve e vizitojnë vetëm kur kanë turne të tjera në Ballkan, e jo specifikisht.
“Kosova tashmë po përfshihet në paketat ballkanike dhe evropiane, që është shumë e rëndësishme, si një destinacion turistik i cili ka një potencial të jashtëzakonshëm”, tha Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës.
Lavdi Zymberi, udhërrëfyese për turistët e huaj, thotë se vizitorëve duhet t’u paraqiten më shumë vendet që ngërthejnë histori.
“Në takime me vizitorë kam parë tek ata një përshtypje që shprehnin befasi kur e kanë parë që Kosova është vend normal e i zhvilluar. Habia e tyre ishte se në Kosovë kanë pritur diçka tjetër”, tha Zymberi.
Muzetë në Kosovë cilësohen si pikëtakimet kryesore për turistët.
“Në dhjetë vjetët e fundit Muzeu Etnologjik ka qenë pika kryesore e referencës për turistët e huaj, sepse gjendet në qendër dhe vihet re vija historike e Prishtinës me tri xhamitë që i kemi afër, pra ‘Sahatkullën’, ‘Hamamin’ dhe ‘Pazarin e vjetër’, kështu që për një orë e tridhjetë minuta ose dy orë mund të marrin informacionet e përgjithshme se si kanë jetuar në të kaluarën njerëzit”, tha Bekim Xhemili, ciceron.
Ndërkaq, turistë thonë që para se ta vizitonin Kosovën, kanë dëgjuar për të si një vend të pasigurt për t’u vizituar.
“Shpresoj se në vitet e ardhshme do të jetë edhe më mirë, në këtë drejtim duke besuar që edhe më shumë turistë do të dinë për këtë vend. Do të thosha që Kosova është si një thesar i fshehur në Ballkan. Njerëzit më kanë pyetur pse po shkon në Kosovë, por do t’ju thosha, duhet të vish njëherë këtu sepse me të vërtetë ka shumë kulturë dhe gjëra interesante për t’u parë dhe dëgjuar”, tha një turist i huaj.
Me një bashkëpunim të fortë dhe përkushtim të vazhdueshëm, Kosova ka mundësinë të tërheqë më shumë turistë, duke u pozicionuar si një destinacion tërheqës dhe të qëndrueshëm në rajon. /RTK /Katror.info