Dimal Basha është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Pro emrit të tij votuan edhe një grup i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai mori 73 vota pro. Kundër ishin 30 deputetë.
Ishte hera e dytë që emri i Bashës u propozua për kryeparlamentar. Në përgjithësi ishte emri i pestë i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, ka thënë se ndjen përgjegjësinë e madhe që i është besuar.
Ai ka thënë se Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi sakrifica.
Basha ka falënderuar gratë e Kosovës për kontributin.
“Sot kjo republikë qëndron e pavarur edhe falë ndihmës së shteteve mike në krye me SHBA-në. Ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e ka parë më herët. Por mos harroni, që me gjithë betejat, besoj që ka qenë shkollë që i ka shërbyer demokracisë dhe emancipimit të shoqërisë”, ka thënë ai.
Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe unifikim.
“Shumica prej nesh dallojmë me parti por qytetarët presin që të jemi të bashkuar në objektivat tona, si zhvillimi ekonomik, forcimi i së drejtës e mbi të gjitha mbrojtja e integritetit territorial”, ka thënë ai.
Ai ka lavdëruar punën e bërë në veri të vendit, duke thënë se është minimizuar krimi në atë pjesë.
Sipas tij, mbrojtja e republikës është detyrë e të gjithëve.
Basha i ka bërë thirrje Serbisë që të sillet në mënyrë demokratike.
***
Kryetari Basha ka thënë se tri partitë më të mëdha shqiptare janë pajtuar për t’i votuar tre nënkryetarët në pako.
Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Albulena Haxhiun, Partia Demokratike e Kosovës e ka propozuar Vlora Çitakun, ndërsa Lidhja Demoratike e Kosovës e ka propozuar Kujtim Shalën.
Me vota 101 për, asnjë kundër dhe nëntë abstenime Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala janë zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës. /Koha.net/REL/Katror.info