Muzeu “Çast” nderon mbijetuesit, sfidon stigmat dhe lufton për drejtësi.
“Çast” është emri i Muzeut për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë, i themeluar nga Fondacioni Jahjaga për të nderuar dhe përforcuar zërat e të mbijetuarve.
Si muzeu i parë i këtij lloji në Kosovë, Muzeu “Çast” u kushtohet tërësisht atyre që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës. Synimi i tij kryesor është të krijojë një hapësirë të përhershme që i jep dinjitet vuajtjeve të tyre dhe ruan përvojat e tyre si pjesë thelbësore e kujtesës historike të vendit.
I kuruar nga Eliza Hoxha, muzeu e merr emrin nga koncepti se jeta përbëhet nga çaste, ku secili prej tyre e formëson atë që jemi dhe ku po shkojmë. Çasti i përdhunimit nuk ishte vetëm ndryshues i jetës për të mbijetuarit/at – ishte një çast që la një ndikim të thellë dhe të qëndrueshëm tek të gjithë qytetarët e Kosovës.
Muzeu bashkon artistë si Ylber Cervadiku dhe Zake Prelvukaj, të cilët përdorin artin e tyre për të hedhur dritë mbi këtë kapitull të dhimbshëm të historisë së Kosovës. Duke paraqitur artefakte të ofruara nga Medica Gjakova dhe Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, secila prej katër dhomave të muzeut shërben si hapësirë për reflektim dhe vetëdijesim, duke sfiduar stigmën dhe duke i fuqizuar të mbijetuarit që storjet e tyre t’i ndajnë me guxim.
Misioni qendror i muzeut është i dyfishtë: të rrisë vetëdijesimin publik rreth dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe të edukojë gjeneratat e reja rreth trashëgimisë së luftës së vendit. Edhe 26 vjet pas konfliktit, të mbijetuarit vazhdojnë të përballen me stigmë, heshtje dhe margjinalizim. Muzeu “Çast” synon t’i kundërvihet kësaj heshtje duke i inkurajuar të mbijetuarit të flasin hapur dhe të kërkojnë drejtësi.
Duke marrë forcë nga storje si ajo e Marte Tunajt, e cila e raportoi përdhunuesin e saj në vitin 2000, si dhe e Vasfije Krasniqit, Shyhrete Tahirajt dhe së fundmi Ramadan Nishorit, muzeu mbështetet në dëshmitë e tyre publike për të krijuar një platformë për dukshmëri, njohje dhe solidaritet, si dhe për të inkurajuar të mbijetuar të tjerë të nxisin diskursin publik dhe të ndajnë storjet e tyre. Storjet e tyre kanë ndihmuar në ndryshimin e perceptimit publik dhe kërkimin e llogaridhënies, duke hapur rrugën për të kuptuar më të thellë dhe mbështetje shoqërore.
“Çdo gjë që nuk ruhet është e destinuar të harrohet”, thotë Bleonë Hajdari, asistente për projekte në Fondacionin Jahjaga, duke theksuar rolin jetësor të muzeut në ruajtjen e kujtesës. Iniciativa si Muzeu “Çast”, vëren ajo, jo vetëm që mbështesin të mbijetuarit, por edhe i shtyjnë institucionet të vazhdojnë kërkimin e drejtësisë.
“Kujtesa e duhur, së bashku me edukimin dhe përballjen me të kaluarën, janë çelësi për ndërtimin e një ardhmërie më të fortë dhe më paqësore”, shton Hajdari. Dokumentimi i storjeve dhe artefakteve në Muzeun “Çast” është edhe një hap drejt pranimit dhe njohjes së dhimbjes së të mbijetuarve – si dhe një hap tjetër në rrugën për drejtësi që ata vërtet e meritojnë./Europe House Kosovo/Katror.info