Dy mërgimtarë shqiptarë, Qëndrim Osmanaj dhe Lul Malsori, janë nisur në një udhëtim të jashtëzakonshëm me biçikleta, duke marrë përsipër një rrugëtim prej 1900 kilometrash nga Lozana e Zvicrës deri në Kosovë, transmeton albinfo.ch.
Osmanaj, 27 vjeç, ka si destinacion përfundimtar qytetin e Istogut, ndërsa Malsori, 55 vjeç, do të ndalet në Gjakovë, përkatësisht në Krusha e Madhe.
“Nuk e di për sa kohë mund të arrijmë, por e di që kemi një pasion të madh për ta bërë këtë. Dëshira për t’u kthyer në vendlindje është e madhe dhe nuk ndjejmë lodhje, pavarësisht kilometrave”, tha Osmanaj.
Ai shtoi se ideja për këtë sfidë kishte nisur pesë muaj më parë:
“E kemi biseduar para 5 muajsh, dhe tash erdhi koha. Duke parë edhe kushtet atmosferike, vendosëm të nisim udhëtimin. Rrugës nuk i dihet, por do të bëjmë maksimumin që të arrijmë sa më shpejt.”
Me pasionin për sportin dhe mallin për vendlindjen, të dy mërgimtarët po tregojnë se dashuria për Kosovën mund të përshkohet edhe përmes një udhëtimi të gjatë e sfidues mbi dy rrota./Katror.info