Është hapur konkursi për regjistrimin e 4 mijë studentëve të rinj në Qendrën e Studentëve, bëri të ditur ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, gjatë një vizite në këtë qendër.
Ministrja Nagavci njoftoi se konkursi do të qëndrojë i hapur deri më 20 shtator dhe se studentët e përzgjedhur do të kenë të përfshira qëndrimin e plotë, përfshirë fjetjen dhe ushqimin. “Qendra ka kapacitet për të strehuar 4 mijë studentë, ku 70 për qind e kapaciteteve janë për vajza. Për më tepër, mundësitë për ushqim janë të mjaftueshme për rreth 1 mijë e 500 studentë,” tha Nagavci.
Kushtet për studentët janë cilësuar shumë të mira, ndërsa pagesa është simbolike: 20 euro për qëndrim mujor dhe 15 euro për ushqim. Rezultatet e konkursit do të bëhen publike më 26 shtator, ndërsa vendosja e studentëve në konvikte do të fillojë nga 1 tetori.
Ministrja gjithashtu theksoi investimet e vazhdueshme në Qendrën e Studentëve, duke përfshirë ndërtimin e një konvikti të ri dhe përmirësimin e infrastrukturës fizike në konvikte të tjera, në kuadër të buxhetit të dedikuar për këtë qëllim./EO/Katror.info