Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), me mbështetjen e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimeve dhe Asistencës së Sigurisë të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SATMO), po vijon avancimin e kapaciteteve operacionale dhe mbështetjes luftarake të personelit ushtarak.
Në kuadër të planeve të përbashkëta të trajnimit, FSK po realizon një aktivitet të rëndësishëm të gjuajtjes taktike me mortaja në stërvitjen që po mbahet në Biza të Republikës së Shqipërisë, në koordinim të ngushtë me SATMO dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Ky aktivitet synon rritjen e gatishmërisë operative të trupave, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimin e përvojave me partnerët ndërkombëtarë.
Trajnimi, i ndarë në pjesën teorike dhe praktike, është fokusuar në tri detyra kryesore: Trajnimi me mortaja (Mortar training), Kursi për udhëheqës të këmbësorisë dhe mortajave (Infantry mortar leader course), si dhe Vëzhgues i përparmë (Forward observer). Ushtarët janë stërvitur në përdorimin e sigurt të mortajave, shënjestrim dhe gjuajtje precize, koordinim dhe komunikim ndërmjet elementeve të zjarrit dhe njësive taktike, si dhe në shkëmbimin e praktikave më të mira me trajnerët e aleatëve.
Ky bashkëpunim i përbashkët me Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve profesionale të FSK-së dhe rritjes së sigurisë e stabilitetit rajonal./Katror.info