Shqipëria ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme në fushën e sigurisë kibernetike, duke u renditur e 15-a në botë me 85 pikë sipas National Cyber Security Index (NCSI).
Ky rezultat përfaqëson një ngritje prej 39 pozicionesh krahasuar me vitin 2023, kur vendi ishte në pozitën e 54-t me 62.34 pikë, duke treguar përparimin e dukshëm të vendit në këtë fushë strategjike.
Ky sukses lidhet ngushtë me përmirësimet në kornizën ligjore dhe institucionale, përditësimin e kuadrit ligjor, miratimin e akteve nënligjore, krijimin e një strategjie kombëtare dhe konsolidimin e rolit të AKSK si autoritet qendror për sigurinë kibernetike.
Po ashtu, ndërgjegjësimi publik dhe analiza e kërcënimeve kanë arritur përmbushje të plotë me publikimin e raporteve mbi kërcënimet kibernetike dhe zhvillimin e fushatave të rregullta për të informuar qytetarët dhe institucionet.
Reagimi ndaj incidenteve është përmirësuar ndjeshëm, me kapacitet kombëtar CIRT, mekanizma online për raportim dhe detyrime ligjore për operatorët.
Menaxhimi i krizave ka njohur një avancim të rëndësishëm falë planit kombëtar për krizat kibernetike dhe trajnimeve praktike kombëtare dhe rajonale, ndërsa mbrojtja e infrastrukturave kritike dhe e të dhënave personale ka arritur përmbushje të plotë përmes vendosjes së detyrimeve ligjore dhe skemave të auditimit.
Bashkëpunimi ndërkombëtar ka qenë gjithashtu i plotë, me pjesëmarrje aktive në rrjetet e Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe iniciativa globale për ndërtimin e kapaciteteve.
Ky rezultat vendos Shqipërinë ndër vendet lider në rajon dhe pasqyron angazhimin e qeverisë dhe ekipeve të specializuara për forcimin e kapaciteteve kombëtare në mbrojtjen kibernetike./Albanian Post/Katror.info