Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Kryeqytet ka njoftuar se, për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, ekipet e saj janë duke ndërmarrë një numër të madh intervenimesh në bashkëpunim me Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve, kompaninë publike “Gjelbër”, Policinë e Prishtinës dhe shërbimet emergjente komunale, përcjell Telegrafi.
Në njoftim theksohet se ekipet janë në terren për të menaxhuar situatën e krijuar nga era dhe reshjet, të cilat po shkaktojnë pengesa dhe rrezik potencial për qytetarët.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar si gjatë ecjes në këmbë ashtu edhe në ngasje me automjete.
Po ashtu, qytetarëve iu rekomandohet të shmangin lëvizjen pranë pemëve të mëdha, shtyllave të energjisë dhe objekteve që mund të paraqesin rrezik nga kushtet atmosferike. /Katror.info