Ozkan Ulutash, gjeneralmajori i Ushtrisë Turke ka marrë sërish komandën e KFOR-it, pas përfundimit të mandatit të komandantit të ushtrisë italiane, Enrico Barduani. Gjatë ceremonisë u potencua ndikimi i këtyre forcave ndër vite për sigurinë e vendit dhe aspirata e Kosovës për anëtarësim në NATO.
Ulutash gjatë marrjes së detyrës tha se është jetike vazhdimësia e misionit për një ambient të sigurt për të gjitha komunitetet e vendit.
“KFOR-i ka shërbyer shumë mirë për Kosovën dhe është i gatshëm për çdo sfidë të sigurisë që mund të lindë. Po ashtu, dua të falënderoj KFOR-in për respektin dhe mbështetjen e dhënë ndaj partnerëve dhe komunitetit që shërben. Si pjesë e KFOR-it, prioritetet e mia gjatë këtij misioni kanë qenë gjithmonë të siguroj një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm dhe të mbroj sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, deklaroi ai.
Gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani, tha se reduktimi i forcave të KFOR-it në Kosovë në më pak se 10% të asaj që ishin në vitin 1999, është dëshmia e sigurisë në vend.
“Kjo nuk është aspak një arritje e vogël. Megjithatë, ende ka shqetësime për qëndrueshmërinë e sigurisë për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura, dhe pikërisht për këtë arsye roli i KFOR-it mbetet kritik, si dhe thelbësor për t’u parë si pjesë integrale e angazhimit të vazhdueshëm të bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare. NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe KFOR-i po luan rolin e vet në këtë drejtim. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është një kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe për arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, tha ai ndër të tjera.
Në anën tjetër, presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohjen e saj për përkushtimin ndaj paqes nga ana e KFOR-it. Ajo dha mesazhin e unitetit dhe kërkoi përpjekjen e secilit për përmbushjen e këtij qëllimi.
Osmani përmendi edhe aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO dhe nënvizoi rëndësinë e qëndrueshmërisë dhe partneritetit me aleatët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
“Në një kohë kur kërcënimet ndaj paqes po shumëfishohen, aleanca është më e fortë kur qëndron me partnerë që vërtet e kanë dëshmuar përkushtimin e tyre. Kosova e ka bërë këtë vazhdimisht, përmes qëndrueshmërisë sonë, reformave tona dhe vendosmërisë së popullit tonë. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë përkrah aleatëve tanë, sepse vetëm së bashku mund të sigurojmë që paqja e fituar me mund sot të bëhet paqja e qëndrueshme e nesër. Por duhet ta bëjmë të qartë: ka nga ata që përpiqen të zhbëjnë gjithçka që kemi arritur, që duan të na kthejnë pas në të shkuarën. Për ta, përgjigjja jonë duhet të jetë e vendosur. Pajisja me lëshime ndaj diktatorëve dhe autokratëve nuk mund të jetë përgjigjja, sepse historia e tregon këtë herë pas here. Partneriteti nuk mund t’u jepet atyre që kryejnë agresion ndaj fqinjëve”, theksoi presidentja./RTK/Katror.info