Disa përdorues të Snapchat do të duhet të paguajnë për të ruajtur fotot dhe videot në aplikacion.
Në një njoftim të bërë më 26 shtator, Snapchat tha se do të fillojë të aplikojë tarifa për përdoruesit që kanë më shumë se 5 gigabajt (GB) në Memories, veçorinë ku ruhen fotot dhe videot brenda aplikacionit.
“Kur kemi publikuar Memories, nuk e prisnim që të rritej kaq shumë sa është sot”, tha kompania. “Ne duam të sigurojmë që komuniteti ynë të mund të ruajë të gjitha Memories për një periudhë të gjatë, ndaj po prezantojmë pakot për përdoruesit me më shumë se 5GB Memories”.
Që nga fillimi i këtij funksioni në 2016, përdoruesit e Snapchat kanë ruajtur më shumë se 1 trilion Memories në mbarë botën.
“Ndryshe nga albumet e kamerës të mbushura me kopje dhe screenshot-e, Memories në Snapchat janë të veçanta sepse përdoruesit zgjedhin të ruajnë momentet që kanë më shumë vlerë,” tha kompania.
Snapchat ofron pako të ndryshme: 100GB dhe 250GB me abonimin mujor Snapchat+, 5 terabyte (TB) me abonimin Snapchat Platinum.
Përdoruesit që kanë Memories mbi 5GB do të duhet të zgjedhin një nga këto plane në mënyrë që të vazhdojnë të ruajnë përmbajtjen e tyre./Katror.info