Nga data 8 deri më 11 tetor 2025, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të mbahet Edicioni i 3-të i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë. Kjo ngjarje katërditore pritet të sjellë një atmosferë të gjallë me aktivitete kulturore, edukative dhe argëtuese për fëmijët dhe familjet.
Ceremonia zyrtare e hapjes do të zhvillohet më 8 tetor, në ora 11:00, ndërsa aktivitetet përgjatë ditëve në vijim do të mbahen nga ora 10:00 deri në 18:00. Vizitorët do të kenë mundësi të marrin pjesë në një sërë punëtorish krijuese, lexime të hapura, përurime librash, aktivitete shkencore dhe teknologjike, lojëra dhe takime me autorë.
Në këtë edicion marrin pjesë botues nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, përfshirë Albas, Dukagjini, Berati, Logos A, Pegi, Fan Noli dhe të tjerë, të cilët do të ofrojnë libra për fëmijë me zbritje deri në 40%.
Përveç panairit të librit, festivali do të përfshijë aktivitete të ndryshme nga organizata e institucione të shumta si UNICEF, Terre des hommes, Bonevet, DreamKID, Young Engineers Prishtina, Galeria Kombëtare e Kosovës, Instituti Yunus Emre dhe shumë të tjerë.
Festivali organizohet nga ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës. Sponsor gjeneral është Albas, ndërsa sponsorë të tjerë janë Hamleys, Besa Security, Rugove, Agora, Premium Bakery dhe Liri.
Ky festival është kthyer në një traditë të dashur në Prishtinë, duke sjellë çdo vit një hapësirë të veçantë për fëmijët dhe një mundësi për të nxitur dashurinë për leximin që në moshë të hershme./KultPlus.com/Katror.info