Artistë nga Shqipëria, Kosova, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Çekia, Franca, Gjermania, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Sllovenia janë bashkuar në një iniciativë unike muzikore dhe kulturore që synon të kapërcejë kufijtë dhe dallimet kulturore, duke promovuar unitetin, solidaritetin dhe paqen në Evropë.
Projekti “One Song, One Europe” i mbështetur nga Bashkimi Evropian pasqyron fuqinë krijuese të rajonit dhe lidhjet e tij me vlerat evropiane. Në këtë projekt, himni “Ode to Joy” është ripërpunuar në një version multikulturor, duke bashkuar tingujt klasikë të Ludwig van Beethovenit me instrumente tradicionale nga Ballkani Perëndimor.
Çiftelia e Kosovës, si dhe një gamë e gjerë instrumentesh nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Perëndimore, përfshirë flautën dhe kavallin, krijojnë një tingull unik që shpreh pasurinë kulturore të rajonit dhe bashkëpunimin ndërkulturor.
Ky projekt rikthen fokusin te ato që “vërtet kanë rëndësi” sipas organizatorëve – dhe është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të kthyer artin dhe kulturën në mjet për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi vlerat e Evropës./AP/Katror.info