Budapesti nuk është vetëm kryeqyteti i Hungarisë – është zemra e saj kulturore, një qytet plot me monumente arkitekturore, bukuri natyrore dhe një energji që ndihet në çdo aspekt të jetës, nga moda te gastronomia.
Një shëtitje përgjatë lumit Danub, që ndan qytetin në Buda dhe Pest, të çon drejt një prej mrekullive më mahnitëse të Evropës – Ndërtesës së Parlamentit Hungarez. Me stil neo-gotik nga jashtë dhe neo-renesancë nga brenda, kjo ndërtesë përfaqëson në mënyrë të përsosur hijeshinë arkitekturore që karakterizon Budapestin.
Një mënyrë e këndshme për ta njohur qytetin është tramvaji i verdhë numër 2, që ndjek brigjet e Pestit dhe ofron pamje të mrekullueshme të Budës përtej lumit. Zbritni pranë Urës së Zinxhirit dhe merrni Funicularin Siklo drejt Kështjellës në Kodrën Var ku ndodhen disa nga ndërtesat më të bukura të qytetit.
Në këtë zonë nuk mund të humbisni Bastionin e Peshkatarëve, një fortesë e shekullit XIX me kulla zbukuruese që ofron pamje mahnitëse të qytetit, si dhe Kishën Matthias, e cila shkëlqen me çatinë e saj me pllaka shumëngjyrëshe. Afër ndodhet Kështjella e Budës, që daton në shekullin XIII dhe sot strehon Galerinë Kombëtare Hungareze, me koleksione arti nga periudha të ndryshme historike, shkruan The Guardian.
Në anën tjetër të lumit, në Pest, ndodhet Muzeu i Arteve të Bukura, një ndërtesë madhështore neoklasike që ruan mbi 100 mijë vepra arti evropiane dhe një koleksion të rëndësishëm antikitetesh egjiptiane. Muzeu ndodhet pranë Sheshit të Heronjve ndërtuar në vitin 1896 për të shënuar 1 mijë-vjetorin e themelimit të shtetit hungarez.
Nga aty mund të vazhdoni drejt City Park, një park i madh me 121 hektarë që strehon disa prej atraksioneve më të njohura të Budapestit. Këtu ndodhet Banja Termale Szechenyi, kompleksi më i famshëm i qytetit, me pishina të brendshme dhe të jashtme me ujë termal, të rrethuara nga ndërtesa baroke me ngjyrë të verdhë të ndezur. Nëse ndodheni në anën e Budës, mund të vizitoni edhe Banjat Rudas, të ndërtuara që në shekullin XVI nga osmanët, me një atmosferë orientale unike dhe pishinë moderne në tarracë me pamje nga Danubi.
Në City Park, gjatë verës mund të vozitni në liqenin artificial, ndërsa në dimër ai shndërrohet në një pistë patinazhi magjike. Për adhuruesit e muzikës, Shtëpia e Muzikës së Hungarisë është një muze futuristik i ndërtuar nga arkitekti japonez Sou Fujimoto .
Në kthim drejt qendrës, ecni përgjatë Bulevardit Andrassy, i njohur për vilat aristokratike, Operën Shtetërore Hungareze, dhe dyqanet luksoze si Louis Vuitton e Gucci. Afër tij ndodhet Rruga Vaci, një rrugë plot me dyqane, restorante dhe atmosfera të gjalla.
Mos harroni të vizitoni Tregun Qendror ku mund të shijoni produkte tradicionale hungareze në një ndërtesë neogotike mbresëlënëse.
Një tjetër simbol i qytetit është Bazilika e Shën Stefanit, e cila përveç funksionit fetar, mban edhe koncerte dhe aktivitete kulturore. Nga kupola e saj mund të shijoni pamje panoramike të qytetit, përfshirë çatinë e artë dhe jeshile të Bankës së Kursimeve Postare, një perlë e stilit art nouveau.
Për fund, rezervoni pak kohë për Ishullin Margaret, një oaz gjelbërimi në mes të Danubit, ideal për shëtitje me biçikletë, vrapim apo thjesht për t’u relaksuar në natyrë. Nëse doni të çlodheni, provoni Palatinus Strand Baths, banjat termale në ishull. /AP/Katror.info