Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes KIESA-s, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev-in, ka nënshkruar Marrëveshjen për Skemën e Granteve për Energji të Pastër. Qëllimi i kësaj skeme është të stimulojë sektorin privat në tranzicionin energjetik të Kosovës, duke përdorur teknologji të qëndrueshme dhe duke ulur kostot operative.
Në këtë kuadër, KIESA fton të gjitha Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM), si dhe kompanitë që operojnë në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike, të marrin pjesë në sesionin e parë informues, i cili mbahet më 10 tetor 2025, në ora 10:00, në Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Universiteti i Prishtinës.
Sesioni ka për qëllim të udhëzojë bizneset mbi mënyrën e aplikimit dhe mundësitë e investimeve që përmirësojnë performancën energjetike, përfshirë: energjinë e ripërtërishme, ruajtjen e energjisë, masat e efiçiencës energjetike në ndërtesa dhe pajisjet që ulin konsumimin e energjisë në linjat e prodhimit.
Vlera totale e skemës është 1 milion euro, e financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut./Katror.info