Avokatja nga Kosova, Liriona Morina, së bashku me ekipin e saj, është renditur në Top 10 më të mirët e “Young European Lawyers Contest 2025”, garë prestigjioze e organizuar nga Akademia Evropiane e Drejtësisë (ERA). Në renditjen përfundimtare, ekipi i saj u pozicionua në vendin e gjashtë, duke u bërë pjesë e elitës së re juridike në nivel evropian, përcjell albinfo.ch.
Ky rezultat përbën një arritje të rëndësishme për avokatët e rinj, të cilët përmes kësaj gare testuan njohuritë, aftësitë analitike dhe praktike në zbatimin e ligjit të Bashkimit Evropian.
Liriona Morina theksoi se ky sukses është një moment krenarie jo vetëm personale, por edhe profesionale, veçanërisht për faktin se ajo ishte përfaqësuesja e vetme nga Ballkani në këtë kompeticion ndërkombëtar.
“Pas një rrugëtimi të gjatë, ndihem krenare që, së bashku me ekipin tim, arritëm të renditemi në Top 6-të Avokatët e Rinj më të mirë në Evropë.
Mbi të gjitha, ndjej krenari të veçantë që, si përfaqësuesja e vetme nga Ballkani, pata nderin të përfaqësoj vendin tim, Kosovën”, ka deklaruar Morina.
Akademia Evropiane e Drejtësisë (ERA) është një nga institucionet më të njohura në fushën e trajnimeve juridike në Evropë, me seli në Trier të Gjermanisë, e cila ofron programe të specializuara për juristë, gjyqtarë dhe avokatë nga e gjithë bota.
Përmes këtij suksesi, Liriona Morina konfirmon edhe njëherë rritjen e prezencës profesionale të juristëve kosovarë në skenën evropiane, duke e vendosur emrin e saj në mesin e talenteve premtuese të drejtësisë bashkëkohore. /Katror.info