Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përfunduar me sukses trajnimin e Avancuar për Xhenier Luftarak, një iniciativë për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe taktike të pjesëmarrësve në fushën e operacioneve xheniere. Qëllimi i trajningut ishte aftësimi i personelit për kryerjen e detyrave me misione të ndryshme, përfshirë Lëvizshmërinë, Kundërlëvizshmërinë dhe Mbijetesën.
Gjatë programit të avancuar, pjesëmarrësit u përgatitën në një gamë temash kyçe të xhenios: ndërtimin e fortifikimeve fushore dhe në zona urbane, ngritjen dhe shpërndarjen e pengesave, si dhe teknikat për qarjen e pengesave. Trajnimi përfshiu gjithashtu procedurat për kalimin nëpër zona të minuara dhe taktikën e sigurt për kalimin e trupave përmes ujërave.
Instruksioni i kombinimit të teorisë me praktikat e terrenit u realizua në mënyrë intensive, duke i ekspozuar pjesëmarrësit ndaj situatave reale operacionale dhe teknikave moderne të xhenios. Kjo përgatitje synon jo vetëm përmirësimin e aftësive individuale, por edhe forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit brenda njësive xheniere.
FSK thekson se zhvillimi i këtyre kapaciteteve është pjesë e angazhimit të saj për të mbajtur standartet profesionale dhe gatishmërinë operative në nivelet më të larta. Përmes trajnimeve të tilla, Forca përforcon aftësinë për të siguruar lëvizshmërinë e forcave, për të neutralizuar kërcënimet e mundshme dhe për të garantuar mbijetesën e personelit në kushte të vështira.
Trajnimi i Avancuar për Xhenier Luftarak vlerësohet si hap i rëndësishëm drejt modernizimit të kapaciteteve xheniere të FSK-së dhe përmirësimit të gatishmërisë për t’u përgjigjur sfidave të sigurisë në terren./Katror.info