Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka folur për përgatitjet e Policisë së Kosovës për ditën e sotme, kur qytetarët votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në nivel lokal.
Ai ka theksuar se Policia e Kosovës ka bërë përgatitjet që nga fillimi i fushatës zgjedhore, duke ndjekur një plan të detajuar veprimi për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.
“Plani operativ është përgatit shumë kohë më përpara, sepse ne punojmë me disa faza të planit, qysh prej fillimit të fushatës zgjedhore e deri te dita e zgjedhjeve dhe pastaj, siç është dita finale, po edhe menaxhimi i situatës pas shpalljes së rezultateve e deri te përfundimi i numërimit të votave në qendrën e numërimit të rezultateve nga KQZ-ja”, ka thënë Hoxha në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTV Dukagjini.
Ai ka shtuar se gjatë gjithë këtij procesi Policia e Kosovës ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Kosovës dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke siguruar koordinim të plotë për një ditë zgjedhore të qetë dhe të sigurt.
Hoxha tutje ka theksuar se as në të kaluarën e as gjatë kësaj fushate zgjedhore nuk është raportuar ndonjë incident serioz./Katror.info