Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka ushtruar sot të drejtën e tij të votës në zgjedhjet komunale që po mbahen në mbarë vendin.
Përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve, Basha ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në votime, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi për të ardhmen e komunave dhe për forcimin e demokracisë.
“Të dashur qytetarë, unë sapo ushtrova të drejtën time të votës, në një ditë që na bashkon të gjithëve për të vendosur mbi të ardhmen e komunave tona. Ftoj të gjithë qytetarët të dalin masivisht dhe të votojnë, sepse vota është zëri juaj që dëgjohet dhe mënyra më e drejtëpërdrejtë për të ndikuar në vendimet që prekin jetën tonë të përditshme,” ka shkruar Basha.
Ai e ka cilësuar këtë ditë si një “festë të demokracisë”, duke kërkuar që procesi të zhvillohet në qetësi, me pjesëmarrje të lartë dhe me frymë të mirë qytetare.
“Kështu dëshmojmë edhe një herë pjekurinë tonë demokratike dhe dashurinë e sinqertë për vendin që duam,” ka përfunduar kryeparlamentari Basha./Katror.info