Pas mbylljes së vendvotimeve, tre televizione nacionale do të publikojnë rezultatet e exit polleve të tyre.
Nga Klan Kosova, gazetari Adriatik Kelmendi ka zbuluar se, sipas Exit Poll-it të televizionit, gjysma e komunave të mëdha pritet të fitojnë pa balotazh.
“Kush e ka përcjellur “Rubikonin” kohëve të fundit pak a shumë mund t’i dijë edhe trendet, ashtu po shkojnë. Mund të themi se nëse vazhdon kështu, ndoshta gjysma e komunave do të shkojnë pa balotazh, gjysma e komunave të mëdha dhe ka garë në të tjerat”, – ka thënë ai.
“Ndoshta zbulova që thashë në shtatë komuna, gjysma mund të shkojë pa balotazh, por në këto tjerat i bie se ka garë dhe do të ketë garë deri në mbylljen e vendvotimeve, kështuqë të gjithë ata se mendojnë që kanë dikë për kë duan të votojnë, mos ta lënë të mos votojnë, le të dalin se do të numërohet secila votë dhe secila votë mund ta sjellë ndryshimin”, – ka shtuar tutje.
Ndërkaq, për exit pollin që do të publikohet në televizionin T7, Baton Haxhiu tha se do sjellë surpriza.
“Prishtina… e jashtëzakonshme si garë, e jashtëzakonshme si betejë në çdo gjysmë ore të votimit dhe rezultati nuk dihet deri në momentin e fundit”. Tri të tjera janë afër t’i ikin balotazhit. Njëra është me një përqindje prej 1.4 – 1.5% dhe është shumë afër që ta ruajë këtë rezultat dhe të shkojë pa balotazh”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Kurse te tri të tjera… rezultati te njëra është 49.2%, te tjetra është 48.8. Pastaj te tjetra është 47.8. Këto tri komuna, deri në momentin e fundit nuk e dimë a do të ketë balotazh apo jo. D.m.th, dy dihen sigurt, e treta është 90 me 10%, kurse tri tjera, të cilat janë komuna të mëdha, mund të shkojnë gjithashtu pa balotazh”, është shprehur Haxhiu.
Sa i përket televizionit Dukagjini, moderatori i emisionit “Debat Plus”, Ermal Panduri, ku do të publikohen rezultatet e exit poll-it, ka njoftuar për përgatitjet e fundit për këtë proces:
Rekord historik në Exit Poll!
Mbi 50,000 qytetarë do të intervistohen nesër në 12 komuna të vendit në kuadër të Exit Poll-it që TV Dukagjini e realizon në bashkëpunim me UBO Consulting! Ky është numri më i madh i qytetarëve që janë intervistuar ndonjëherë në një ditë të vetme në Kosovë – ka thënë ai përmes një postimi në Facebook./Katror.info.