Kosova do të përballet sonte në orën 20:45 me Suedinë në Goteborg, në një sfidë shumë të rëndësishme për vendin e dytë në grup.
Trajneri i Kombëtares, Franco Foda, është i vetëdijshëm për nivelin e lartë të kundërshtarit dhe stilin e tyre agresiv, por theksoi se skuadra do të vijojë me strategjinë e kundërsulmeve.
Ai kujtoi fitoren e muajit të kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Kosova triumfoi 2-0 ndaj suedezëve dhe shprehu shpresën për ta përsëritur këtë sukses.
“Suedia është një kundërshtar që luan futboll shumë direkt. Ka shumë cilësi në sulm, me emra si Isak, Gyokeres dhe Elanga”, deklaroi ai.
Foda theksoi se Kosova duhet të jetë e organizuar dhe e kujdesshme në mbrojtje, siç ishte në ndeshjen e kaluar.
“Duhet të luajmë ngushtë në fazën defansive, sepse kjo ishte arsyeja pse fituam herën e kaluar. Kështu duhet të luajmë edhe nesër, por gjithashtu duhet të përpiqemi të bëjmë më shumë presion dhe të rrisim intensitetin në fazën sulmuese”, shtoi tutje ‘timonieri’ i Kosovës.
Trajneri gjerman pranoi se sfida në transfertë do të jetë shumë më e vështirë, për shkak të presionit dhe atmosferës në Goteborg, por insistoi se Kosova do të qëndrojë e fortë dhe e organizuar.
“Jemi të vetëdijshëm që na pret një ndeshje e vështirë, me presion të lartë, por pavarësisht kësaj, do të mundohemi të qëndrojmë të fortë dhe të organizuar”, u shpreh ai.
Foda komentoi edhe mungesat në skuadër, por pa u ankuar, duke vlerësuar cilësinë e lojtarëve që do të zëvendësojnë titullarët.“Fatkeqësisht kemi disa mungesa si Rexhbecaj (i lënduar) dhe Aliti (për shkak kartoni), por kemi lojtarë të tjerë cilësorë që mund t’i zëvendësojnë. Duhet të shikojmë përpara”.
Në fund, ai vlerësoi lart Suedinë si një ekip të konsoliduar dhe shumë të rrezikshëm në çdo repart.
“Stili i lojës së tyre është i qartë: futboll agresiv dhe i drejtpërdrejtë. Kërkojnë të arrijnë te goli përmes dy sulmuesve kryesorë. I kam parë në ndeshjet e fundit dhe gjithmonë kanë kërkuar të luajnë në këtë mënyrë. Pres që të ndodhë e njëjta gjë edhe sot,” përfundoi Foda.
Ai nënvizoi gjithashtu se grupi ku ndodhet Kosova është shumë i fortë, me tri skuadra që luftojnë për vendin e dytë, dhe se çdo ndeshje është vendimtare për objektivin final./Katror.info