Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka zbuluar të hënën e 13 tetorit se grupkapitulli i fundit i negociatave pritet të hapet në vjeshtë, duke theksuar progresin e shkëlqyer të Shqipërisë në këtë drejtim.
Shefja e BE-së u paraqit në deklaratë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, pas përfundimit të takimit kokë më kokë mes liderëve dhe delegacioneve respektive.
“Kënaqësi të kthehem në Shqipëri dhe të nis turin tim këtu. Shqipëria është në rrugën e duhur drejt BE-së. Keni bërë një rrugë të gjatë, keni bërë një progres të mrekullueshëm me një shpejtësi rekord. Planifikojmë këtë vjeshtë të hapim grupkapitullin e fundit”, deklaroi Von der Leyen.
Ajo u shpreh në vijim se “qëllimi është mbyllja e negociatave brenda 2027-ës, na pëlqen ambicia dhe jemi të gatshëm dhe t’ju mbështesim në çdo hap”.
“Momenti gjeopolitik është këtu, agresioni i Rusisë në Ukrainë ka riformësuar kontinentin tonë. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj mjaft të qartë. Jeni plotësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë me BE-në dhe së bashku veprojmë si një”, shtoi shefja e BE-së.
Kreu i Qeverisë deklaroi gjatë fjalës së tij se palët diskutuan për ecurinë “e shpejtë” dhe “të mbarë” të negociatave të anëtarësimit dhe për Planin e Rritjes ku vendi mori një vlerësim shumë pozitiv nga ana e Brukselit zyrtar.
Kjo vizitë vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, por edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik e politik mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor./AP/Katror.info