Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me Çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Ceremonia e ndarjes së çmimit u mbajt sot në kuadër të punimeve të Asamblesë në Slloveni.
Në fjalën e saj, Presidentja Osmani e cilësoi këtë vlerësim si një nder të veçantë, duke theksuar se çmimi i dedikohet popullit të Kosovës, e në veçanti grave të vendit, të cilat, siç tha ajo, me guxim, dinjitet dhe përkushtim, kanë ndihmuar në arritjen e lirisë dhe ndërtimin e paqes.
“Është çmim për të gjitha gratë që nuk u dorëzuan kurrë, për ato që iu prinë protestave, luftës dhe ndërtimit të institucioneve, për kampionet e të drejtave të njeriut, për nënat që ende presin më të dashurit e tyre të zhdukur gjatë luftës, për të mbijetuarat që punojnë pa u lodhur për drejtësi, si dhe për vajzat e reja që sot udhëheqin me besim e vizion,” tha Osmani.
Ajo shtoi se paqja e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën dhe guximin e grave, ndërsa demokracia e vendit është forcuar falë angazhimit të tyre të pashoq në çdo hap të rrugëtimit drejt lirisë dhe barazisë./Katror.info