Arianit Islami është emëruar Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.
Sipas njoftimit të lëshuar nga ky autoritet, Islami deri më tani ka qenë Drejtor i Departamentit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror, pozitë të cilën e ka mbajtur që nga viti 2005.
“Ai është një profesionist me përvojë të gjerë mbi 20 vjeçare në aviacion, të përcjellë me përgatitje të shquar akademike. Z. Islami është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka magjistruar në Universitetin e Aviacionit Civil të Francës (ENAC) në degën e komunikimit, navigimit dhe vëzhgimit të bazuar në satelit. Në vitin 2023, ka doktoruar në Laboratorin e ENAC dhe Universitetin Paul Sabatier në Tulluz, Francë në lëminë e menaxhimit të trafikut ajror”, thuhet në njoftim.
Para dy muajsh, përkatësisht më 18 gusht, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka anuluar për herë të dytë konkursin për drejtor të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC) pas ankesave të bëra nga kandidatët Arianit Islami, Besnike Ukmata dhe Lendita Kika-Berisha.
Ankuesit patën pretenduar se procedura e rekrutimit është zhvilluar përmes shkeljeve ligjore, duke theksuar se udhëheqësja e njësisë së burimeve njerëzore s’ka vepruar sipas rekomandimit të Agjencisë për Parandalim të Korrupsionit e po ashtu se në listë janë përfshirë kandidatë që s’i plotësojnë kriteret e konkursit. /Koha/Katror.info