Sot, më 15 tetor 2025, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Me rastin e kësaj vizite, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore, për të mundësuar lëvizjen e lirë dhe të sigurt të eskortës zyrtare.
Sipas njoftimit zyrtar, Policia do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë gjithë kohës së qëndrimit të delegacionit evropian në Kosovë.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në intervale të shkurtra kohore në disa segmente rrugore, ku pritet të kalojë eskorta. Në këto raste mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative”, thuhet në njoftim.
Policia ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik, duke theksuar se këto masa janë të përkohshme dhe kanë për qëllim garantimin e sigurisë gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian./Katror.info