Njësia për Kontrollin e Kufirit Ujor e Policisë së Kosovës, pjesë e Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë, ka përfunduar me sukses një trajnim të specializuar në fushën e kërkim-shpëtimit. Trajnimi u zhvillua nga instruktorë të çertifikuar të Shoqatës për Kërkim-Shpëtim dhe përfshiu disa module të lidhura me mbijetesën, kërkimin dhe shpëtimin, si dhe zhytjen dhe shpëtimin në ujë.
Aktivitetet u zhvilluan në lokacione të ndryshme, duke reflektuar natyrën e trajnimeve: mbijetesa në natyrë dhe lëshimet me litar u zhvilluan në rajonet malore, ndërsa disiplina e kërkim-shpëtimit në ujë dhe trajnimi për zhytje u realizuan në zonën bregdetare në Shqipëri. Ushtrimet praktike përfshinë teknika të kërkimit në ujë, shpëtimin e të mbyturve, përdorimin e pajisjeve të zhytjes dhe menaxhimin e situatave emergjente në ambiente ujore.
Ky trajnim ka ndihmuar në zhvillimin e aftësive praktike dhe teorike të pjesëmarrësve për ndërhyrje në situata emergjente, si në terrene tokësore ashtu edhe në ujore. Bashkëpunimi me Shoqatën për Kërkim-Shpëtim është cilësuar jashtëzakonisht profesional dhe ka kontribuar në ngritjen e kapaciteteve të njësisë në fushën e mbrojtjes dhe shpëtimit./Katror.info