Krimba, plankton, pleshta uji, kallama, alga dhe bimë të egra – baza e një ekosistemi të gjallë – janë rikthyer në jetën e lumit Don në Toronto, pas 130 vitesh “gjumë nën tokë”, duke habitur shkencëtarët.
Në fund të shekullit XIX, lumi Don u kthye në një kanal industrial, duke shkatërruar habitatin natyror. Por sot, si pjesë e një prej përpjekjeve më të mëdha për rijetëzim të ligatinave në Amerikën e Veriut, ky lum po rilind, shkruan Good News Network, përcjell Katror.info.
Gjatë punimeve për pastrimin e zonës, ndërsa shtresë pas shtrese balte, dheu dhe mbetje industriale u hoqën, ekipi ndeshi në kallama dhe bimësi vendase të zhytura në heshtje nën tokë. Kur shkencëtarët filluan të analizojnë mostrat e dheut, jeta filloi të shfaqej si të mos kishte ndodhur asgjë: larva, pleshta uji dhe mikrobe që lëviznin e ushqeheshin.
Farëra dhe polen nga pemë të zhdukura u zbuluan në tokën e zhvendosur, duke i dhënë projektit të restaurimit një dimension historik dhe emocional.
Projekti i rijetëzimit të lumit Don filloi në vitin 2007, kur u kuptua se betonimi i brigjeve ishte shkaktar i përmbytjeve të shpeshta. Rikthimi i rrjedhës natyrore dhe krijimi i një ishulli të ri krijuan kushtet për kthimin e jetës.
Melanie Sifton, eksperte e hortikulturës, përshkroi momentin si magjik: “Kur projekti nisi, ndiheshe sikur ishe në Hënë – tokë e thatë, pluhur, asnjë shenjë jete. Por kur pamë kallamat dhe bimët vendase… ishte si të gjeje një thesar të varrosur.”
Në laboratorët e Universitetit të Torontos, 50 mostra toke u analizuan. Aty u zbulua një mrekulli biologjike: jeta kishte qenë në gjumë të thellë për më shumë se një shekull, dhe u rizgjua me pak ujë dhe diell.
Shelby Riskin, specialiste e tokës, tha: “Toka ishte e gatshme të ndizet. Mikrobot, lëndët ushqyese – të gjitha copëzat e vogla që s’i kuptojmë plotësisht – ishin aty, duke pritur të krijonin një ekosistem të lulëzuar.”
Sot, lumi Don dhe ishulli i ri janë kthyer në një rezervat natyror prej 24 hektarësh, ku jetojnë bufë të bardhë, shqiponja, kastorë dhe rosakë të egër. Rrjedha e përthyer e lumit gjatë reshjeve të mëdha ndihmon në shmangien e përmbytjeve, duke ruajtur një ekuilibër mes natyrës dhe qytetit.
Ky është një shembull frymëzues se si natyra mund të rikthehet fuqishëm, edhe pas dekadash ndërhyrjesh të rënda njerëzore – nëse i jepet një mundësi./Katror.info