Shqiptarët janë më të frikësuarit në rajon, në raport me efektet afatgjata në ekonomi të përdorimit të Inteligjencës Artificiale. Anketa “Security Meter” që Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal zhvilloi në 6 vende, evidentoi se 46% e shqiptarëve mendonin se Inteligjenca Artificiale do t’i dëmtojë më së shumti njerëzit (ekonominë) në 20 vitet e ardhshme, përqindja më e lartë në rajon.
Gjithashtu, serbët dhe boshnjakët ishin të frikësuar nga ky fakt, me përkatësisht 45 e 44% të të anketuarve që mendonin se përdorimi i Inteligjencës Artificiale do të ishte i dëmshëm. Po në anën tjetër, gjithashtu kemi përqindjen më të lartë të njerëzve që mendojnë se IA i ndihmon. Anketa zbuloi se 24% e shqiptarëve mendojnë se inteligjenca i vjen në ndihmë. Përdorimi i Inteligjencës Artificiale (IA) mund të ketë efekte negative në ekonominë shqiptare.
IA mund të automatizojë procese dhe detyra, duke reduktuar nevojën për fuqi punëtore në industri të ndryshme, si shërbimet, prodhimi dhe administrata publike.
Gjithashtu përdorimi i IA-së mund të favorizojë më shumë ato biznese që kanë më shumë akses në teknologji e kapital, duke krijuar pabarazi më të mëdha midis bizneseve të mëdha dhe atyre të vogla, si dhe mes grupeve të ndryshme shoqërore. Për shkak të mungesës së investimeve në edukim e trajnime teknologjike, shumë individë dhe kompani në vendin tonë mund të mbeten pas, duke mos qenë në gjendje të përfitojnë nga IA. Zbatimi i IA-së kërkon investime të mëdha fillestare për infrastrukturën teknologjike, trajnim dhe mirëmbajtje, gjë që mund të jetë e vështirë për një ekonomi në zhvillim si Shqipëria.
Industria dhe sektorët që mbështeten te aftësitë tradicionale, si artizanati e bujqësia, mund të ndihen të kërcënuar nga teknologjitë e reja, duke humbur rëndësinë e tyre kulturore dhe ekonomike.
Nëse Shqipëria nuk zhvillon kapacitetet e veta në IA, mund të bëhet e varur nga teknologjitë dhe kompanitë e huaja, duke ulur kontrollin mbi ekonominë kombëtare. Nga ana tjetër, përdorimi i Inteligjencës Artificiale (IA) sjell gjithashtu një sërë përfitimesh që mund të ndihmojnë në modernizimin dhe përmirësimin e shumë sektorëve, shkruan Top Albania Radio.
IA mund të ndihmojë në automatizimin e proceseve dhe detyrave të përsëritura, duke ulur kohën e kostot e prodhimit. Kjo lejon bizneset të jenë më efikase dhe konkurruese në treg. Në sektorët publikë, si shëndetësia, arsimi dhe administrata, IA mund të ndihmojë në digjitalizimin e proceseve, reduktimin e burokracisë dhe ofrimin e shërbimeve më të shpejta e më cilësore për qytetarët.
Me ndihmën e analizave të avancuara të të dhënave, IA mund të ofrojë njohuri të vlefshme për bizneset dhe qeverinë, duke përmirësuar planifikimin dhe vendimmarrjen në fusha të ndryshme.
Gjithashtu, adaptimi i IA-së mund të nxisë zhvillimin e sektorëve të rinj ekonomikë, si teknologjia e informacionit, startup-et digjitale dhe zhvillimi i aplikacioneve, duke krijuar vende të reja pune dhe mundësi investimi. /Katror.info
Përgatiti:
