Gjatë vitit 2024, mbi 4,500 pacientë i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale në Klinikën e Syve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), një shifër që paraqet një rritje prej 500 operimesh krahasuar me vitin e kaluar, shkruan Katror.info.
“Mbi 4 mijë e 500 pacientë janë operuar në Klinikën e Syve, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjatë viti 2024. Ky numër është rritur për 500, krahasuar me vitin paraprak”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
Sipas QKUK-së, ky progres është rezultat i investimeve të bëra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), të cilat kanë përfshirë përmirësime në infrastrukturë, pajisje mjekësore dhe rritje të kapaciteteve të stafit mjekësor.
Përveç operacioneve, Klinika e Syve ka ofruar mbi 45,000 vizita ambulatore specialistike dhe sub-specialistike në fusha të ndryshme të oftalmologjisë. Po ashtu, është zgjeruar gama e ndërhyrjeve kirurgjikale, përfshirë operacione më të ndërlikuara, gjë që ka reduktuar ndjeshëm nevojën për referime jashtë vendit.
Ky zhvillim shihet si një hap i rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve oftalmologjike në Kosovë dhe për rritjen e kapacitetit të sistemit shëndetësor për të trajtuar rastet brenda vendit./Katror.info