Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me Zëvendësguvernatorin për Mbikëqyrje Financiare, Milot Cakaj, priti në takim anëtarët e Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), të udhëhequr nga kryesuesi Emanuel Bajra dhe Drejtori Menaxhues, Adrian Zalli.
Në këtë takim, kryesuesi i Bordit të FKPK-së e informoi Guvernatorin Ismaili për zhvillimet dhe aktivitetet e fundit në institucion, duke theksuar se tashmë Bordi ka përbërje të plotë. Gjithashtu, ai nënvizoi nevojën për analizimin e ndryshimeve legjislative dhe të qeverisjes, si dhe diskutoi strategjinë e FKPK-së për qëndrueshmërinë e investimeve në raport me tregjet globale dhe zhvillimet ekonomike.
Nga ana e tij, Guvernatori Ismaili prezantoi reformat e ndërmarra nga BQK-ja për avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, duke vënë në pah stabilitetin e sektorit financiar dhe iniciativat për gjithëpërfshirje financiare dhe edukim financiar. Ai theksoi rëndësinë e një qasjeje të kujdesshme dhe vendimmarrjes efektive për të përballuar sfidat që vijnë nga zhvillimet globale dhe gjeopolitike.
Përveç diskutimeve mbi gjendjen e sektorit financiar, pjesëmarrësit shqyrtuan mundësinë e reformave rregullative dhe mbikëqyrëse për FKPK-në dhe sektorin pensional, përmes angazhimit të grupeve punuese teknike, duke ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare.
Në përfundim, u theksua rëndësia sistemike e FKPK-së dhe domosdoshmëria e bashkëpunimit institucional për mbrojtjen e interesave të kontribuuesve dhe garantimin e stabilitetit financiar dhe ekonomik të vendit./Katror.info