Pse Steve Jobs nuk kishte karrige e divan të tij për shumë vite?
E veja e Steve Jobs, Lauren Jobs ka folur për shijen estetike të bashkëthemeluesit të Apple. Në një intervistë me Code Conference, Lauren tha se qifti nuk kishin divan dhe karrige të tyre për shumë vite meqë nuk mund të gjenin gjuhën e përbashkët për mobiliet.
“Njerëzit qeshin me ne, sepse nuk mund të pajtoheshim për divan ose karrige dhe për shumë vite nuk e kishim asnjërën,” tha Lauren duke qeshur, raporton the Verge.

Blerja e një divani i mori shumë kohë qiftit. Duke folur për pjesën estetike të Jobs, Lauren tha se ajo i ishte zhvilluar qysh në moshë të hershme. “Ai vërente detajet në çdo gjë. Mënyrën se si muri takohej me tavanin dhe dyshemenë, mënyrën se si hynte drita,” tha Lauren.
Steve Jobs ishte një biznesmen amerikan, dizenjues dhe shpikës. Ai njihet njëkohësisht si ish-drejtuesi i kompanisë Apple Inc. Gjatë 56 viteve të jetës së tij, Jobs i ka impresionuar njerëzit me aftësinë për ta kthyer kompaninë e tij në një nga më fitimprurëset në të gjithë botën, me produktet gjithnjë e më shumë inovative dhe me karizmën e tij me të cilën bëri për vete shumë adhurues. Ndërsa së bashku me Wozniak ai themeloi Apple Computer, në vitin 1985 u largua nga kompania, pasi humbi një betejë me bordin drejtues të saj. Pas largimit nga Apple, Jobs themeloi kompaninë NEXT, e specializuar në teknologjitë kompjuterike dhe biznes.
Në 1986, ai bleu sektorin e grafikës së kompanisë Lucasfilm (më vonë mori emrin Pixar) dhe më pas u bë drejtori i përgjithshëm i saj duke qenë njëkohësisht aksioneri më i fuqishëm deri në momentin kur kompania u ble nga Walt Disney në 2006. Ndërsa ish-kompania e tij hasi shumë probleme për krijimin e një kompjuteri të ri, Apple i kërkoi Jobs ndihmë dhe si pjesë e marrëveshjes së arritur ai u bë këshillues i saj. Në 1996, ndërkohë që Apple ishte në rrezik falimentimi ai mori kontrollin dhe u bë president i përhershëm (interim CEO apo iCEO, siç thoshte ai duke qeshur). Nën drejtimin e tij Apple i shpëtoi falimentimit dhe në vitin 1998 u bë fitimprurëse. Në dekadën e ardhshme Jobs do të hidhte në treg disa nga produktet më inovative në fushën kompjuterike si iMac, iTunes, iPod, iPhone dhe iPad.

Suksesi i jashtëzakonshëm i këtyre produkteve dhe shërbimeve dhe vlera mjaft e lartë e kompanisë në treg, ndërsa pak vite më parë rrezikonte falimentimin, konsiderohet nga të gjithë si një nga rokadat më të mëdha në historinë e biznesit.
Diagnostikimi me kancer në pankreas në vitin 2003 nuk e largoi Jobs nga kompania e tij. Ndërsa në vitin 2009 iu nënshtrua një transplanti në mëlçi ai nuk mundi ta fitonte betejën me sëmundjen.
Në 5 tetor të 2011 Jobs u nda nga jeta, por influenca e tij në fushën e teknologjisë do të vazhdojë të ndihet gjatë.
Pas vdekjes, ai është konsideruar nga shumë njerëz si “legjendar”, “futurist”, “vizionar”, “baba i revolucionit dixhital” apo “pionier i revolucionit kompjuterik”. Mbi të gjitha, Jobs ishte një shpikës dhe inovator i pashterueshëm që me idetë e tij ndryshoi përgjithmonë teknologjinë kompjuterike.
Përgatiti:
