Nëse zbatimi do të jetë ashtu si planifikimi, nxënësit e shkollës fillore “Elena Gjika” kanë të drejtë të gëzohen, meqë komuna e Prishtinës duket se do të ofrojë siguri për ta kur hyjnë e dalin nga shkolla.
Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur planin për projektin e quajtur “Rrugët për Fëmijë.”

“Gjithçka gati për fillimin e punimeve në realizimin e projektit të parë “Rrugët për Fëmijë” tek SHFMU “Elena Gjika”. Pas disa muajsh analizë, matje, projektim e planifikim me ekipin e projektit në Kryeqytet takuam edhe njëherë banorët para se të fillojmë punimet javën tjetër. Morrëm shumë mbështetje dhe ide për plotësimin e mëtutjeshëm të hapësirës para shkollës në bashkëpunim me nxënës e mësimdhënës,” ka shkruar ajo.
Sipas saj Komuna e Prishtinës është inspiruar nga Bashkia e Tiranës dhe ky është projekti i parë nën konceptin “Rrugët për Fëmijë” në bashkëpunim me Qendra Marrëdhënie në Tiranë dhe Urban 95 i realizuar në Prishtinë.
“Me 15 ditë punime, brenda muajit do të inagurojmë hapësirën e transformuar tek shkolla “Elena Gjika”, për të vazhdu me shkollat e tjera. Siguria e fëmijëve është prioriteti ynë!,” ka shkruar ajo./Katror.info