Kosova është bërë pjesë e European Rotaract Information Centre (ERIC), pasi që kandidatura e saj si vend anëtar dhe e klubeve të saj për rinjtë rotarianë, ka marrë miratim pothuajse unanim.
Distriktet evropiane të rotaraktorëve që janë pjesë e ERIC votuan në shumicën dërrmuese, me 92 vota pro, për anëtarësimin e Kosovës në bashkimin e klubeve rotaraktore të Europës, e njohur si “Rotaract Europe”.
“Kjo është një ngjarje e madhe për Distriktin 2485 Shqipëri-Kosovë, si pjesë e “Rotary International”, ku bëjnë pjesë klubet Rotary, Rotaract dhe Interact, në të dyja shtetet,” thuhet në postimin e Rotaract Club Prishtina.
Brenda distriktit Shqipëri-Kosovë është formuar edhe “Distrikti i Rotaraktorëve”, me guvernator rotaraktorin nga Kosova, Egzon Boshtrakaj.
Kosova do të përfaqësohet për herë të parë nga rotaraktorja, Era Demiri, që vjen nga “Rotaract Club Prishtina Ulpiana”.
Shqipëria gjithashtu është pjesë e “Rotaract Europe” dhe përfaqësohet nga rotaraktori Geri Emiri, nga “Rotaract Club Durres”./Katror.info