Gordon Matthew Thomas Sumner, i njohur më mirë me emrin e tij skenik Sting, është një muzikant anglez dhe aktor nga Newcastle. Sting është bartës i 47 çmimeve ndërkombëtare për muzikë, video, film dhe literaturë dhe emri i tij gjendet në Rock and Roll Hall of Fame. Ai ishte mësues në shkollën fillore të St. Paul në Cramlington të Anglisë para se të bëhej muzicient i famshëm.
Andrew James Summers është kitarist anglez. Emri i tij është po ashtu në Rock and Roll Hall of Fame. Summers ka realizuar shumë albume solo, ka bashkëpunuar me muzikantë të tjerë, ka kompozuar partitura filmash, ka shkruar tregime dhe ka ekspozuar fotografitë e tij në galeri botërore.
Stewart Copeland është një baterist amerikan, ai konsiderohet si një nga bateristët më me ndikim që ka ekzistuar ndonjëherë. Copeland u rendit bateristi i 10-të më i mirë i të gjitha kohërave nga revista Rolling Stone më 2016. Edhe Copeland u përfshi në Rock and Roll Hall of Fame, Modern Drummer Hall of Fame dhe Classic Drummer Hall of Fame.
Të tre këta personalitete me talente të pakontestueshme ishin themelues të grupit rock, Postpank, New Wawe e Reggae The Police.

The Police e ka shënuar epokën e vet 1977 – 1983 me pesë albume, të cilët shënojnë valën e dytë të invazionit britanik në Amerikë, Evropë e tutje.
Carl Gustav Jung ishte një psikiatër dhe psikoanalist zviceran që themeloi psikologjinë analitike. Ai ishte autor, ilustrues dhe korrespodent prolifik.
Arthur Koestler, ishte një autor letrar dhe gazetar britanik me origjinë hungareze. Koestler ka lindur në Budapest, u shkollua në Austri. Në vitin 1931, ai u bashkua me Partinë Komuniste të Gjermanisë, por ai dha dorëheqjen në 1938 pasi u zhgënjye me stalinizmin.
Pasi u transferua në Britaninë e Madhe në vitin 1940, ai botoi romanin e tij “Darkness at Noon” (Terri në drekë) një vepër anti-totale që i dha famë atij. Gjatë 43 viteve të tjera, ai përkrahu shumë kauza politike dhe shkroi romane, kujtime, biografi.

Çka i ndërlidh grupin Police, Carl Gustav Jung dhe Arthur Koestler? Albumi i fundit i grupit “Synchronicity” nga viti 1983 dhe libri i Koestler “The Roots of Coincidence” (Rrënjët e rastësisë) nga viti 1972, i ndikuar nga koncepti i sinkronitetit të Carl Jung, janë dy vepra nga spektri i ndryshëm artistik por shumë të fuqishme, me një impakt të fortë në kohën kur realizohen. Koestler përmes konceptit të sinkronitetit të Carl Gustav Jung argumenton se shkenca duhet ta marrë më seriozisht mundësinë e shfaqjes së fenomeneve që janë jashtë pikëpamjes sonë të sensit të përbashkët për botën dhe t’i studiojë ato.
Ai arrin në përfundimin se ngjarjet paranormale janë të rralla, të paparashikueshme dhe kapriçioze dhe kanë nevojë për një kombinim paradoksal të eksperimentit të shkathët shkencor. Është një hyrje në teoritë e parapsikologjisë, duke përfshirë perceptimin jashtëshqisor dhe psikokinezën. Koestler postulon lidhjet midis fizikës moderne, ndërveprimit të tyre me kohën dhe fenomeneve paranormale.
Albumi “Synchronicity” inspirohet nga libri edhe pse këngët përshkruajnë edhe përvojat personale të situatave të ndryshme të anëtarëve të grupit.
Sting i cili konsiderohet intelektual ndër muzicientët, ishte një lexues i zjarrtë i Jung dhe Koestler. Në kopertinë të albumit ai shihet duke lexuar Carl Jungun. Sting e quajti albumin Synchronicity si një referencë për “The Roots of Coincidence”. Edhe albumi i mëparshëm i Police, “Ghost in the Machine”, (Fantazma në makinë) ishte inspiruar nga një libër tjetër nga Koestler me të njëjtin titull i cili trajton psikologjinë filozofike.
Albumi “Synchronicity” është një nga albumet më të mëdhaj të epokës së vet, duke treguar talentin dhe shkathtësinë e The Police krahas teksteve të shkëlqyera dhe aftësisë së pazakontë të Sting për të krijuar këngë tërheqëse.

Albumi mori titullin e tij nga teoria e sinkronitetit nga Carl Jung nëpërmjet librit të Arthur Koestler, i cili besonte se jeta nuk ishte një seri ngjarjesh të rastësishme, por më tepër një shprehje e një rendi më të thellë, i cili çoi në njohuritë se një person ishte i ngulitur në një kornizë të rregullt dhe ishte fokusi i atij kuadri të rregullt. Rezultati përfundimtar ishte një përzierje e fuqishme që goditi të gjitha kriteret kryesore që e bëjnë një album vërtet të mrekullueshëm – një koleksion muzikor argëtues, origjinal, në kohë, cerebral dhe njerëzor.
Si shumë vepra të tjera të shkëlqyera, albumi muzikor Synchronicity lindi nga stresi, lufta dhe grindjet. Përveq dështimeve personale dhe familjare të anëtarëve, edhe në aspektin profesional pas gjysmë dekade turne, inçizimesh të vazhdueshme, kërkesa dhe zbulime të muzikës së re, treshja dikur e lidhur ngushtë mes veti kishte filluar të konfliktohej me njëri-tjetrin.
Grupi mori një pushim në 1982 për të ndjekur projekte të jashtme. Sting kishte filluar të aktronte në filma ndërsa Summers bashkëpunoi me ish kitaristin e King Crimson Robert Fripp në albumin instrumental “I Advance Masked” (Unë përparoj nën maskë). Bateristi Stewart Copeland kompozoi partiturën muzikore për filmin “Rumble Fish” (Grumbullim peshku). Por, ndërsa secili anëtar gjeti suksesin e tij, ai sukses shërbeu edhe për të zgjeruar pykën në mesin e grupit dhe të gjithë kishin vendosur pak a shumë që rënia e grupit ishte shumë afër.

Kështu që grupi vendosi të bënte një kryevepër përfundimtare të lindur nga stresi i ndarjes së afërt. Albumi realizohet në ujdhesën Karibke Montserrat, në Montserrat AIR studio. Nuk ishte e lehtë, pasi tre anëtarët e grupit regjistruan këngët bazë live në dhoma të veçanta: Stewart Copeland me bateritë e tij në dhomën e ngrënies (i lidhur me dhomën e kontrollit të studios përmes video lidhjes), Sting në dhomën e kontrollit dhe kitaristi Andy Summers në studio. Sipas koproducentit dhe inxhinierit Hugh Padgham, kjo u bë për dy arsye: për të marrë tingullin më të mirë për secilin instrument dhe “për arsye sociale”. Sting, Summers dhe Copelend nuk duroheshin gjatë inçizimeve.

Rezultati është i larmishëm dhe i guximshëm, me këngët më eksperimentale të albumit të vendosura në anën në anën e parë të albumit dhe “hitet” të rezervuara për anën e dytë. “Synchronicity” ishte krisma e fundit e The Police që i tregoi botës gjithçka që ata ishin në gjendje të bënin, si në performancë ashtu edhe në prodhim. Muzika përmban një bollëk ritmesh, nga reggae, blues dhe afrikane deri tek pop/rock, ndërsa tema ka të bëjë me gjërat e kaluara ose që mbarojnë dhe shtrirja migron nga globalja në atë personale.
“Synchronicity I” e nis albumin me një model arpeggio të sintetizuar të theksuar nga një rrahje basi dhe baterish. Është një pjesë mjaft e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë, por e furishme me disa pjesë dhe harmoni multivokale nga Sting që prezantojnë në mënyrë lirike teorinë e Jung-ut për “të pavetëdijshmen kolektive”. “Walking In Your Footsteps” (Duke ecur në gjurmët e tua) vijon me ritme native dhe një melodi të mirë mbi aranzhimet të çuditshme dhe të thjeshtësuara. Tekstet lidhen me dinosaurët e zhdukur me njerëzit e ditëve moderne dhe me temën e zakonshme, nga frika e shkatërrimit bërthamor të njerëzimit.
Kënga e parë në album që përmban një aranzhim disi tradicional, “Oh My God” (O Zoti im) është i drejtuar nga basi me pak akorde kitarësh funk, disa tone të lehta sintetike dhe vokale shpirtërore. Kënga është një vitrinë e vërtetë për Sting me basin, tekstin dhe zërin e ankthshëm dhe solo të improvizuar të saksofonit në outro të këngës.”Mother” (Nëna) është një kompozim nga kitaristi Summers që tingëllon si një frustrim nga kontrolli i nënës mbi jetën e tij.
Vokalet e tij janë të papërpunuara, por çuditërisht argëtuese dhe disa pjesë instrumentale me buri janë shtuar për të intensifikuar “vibrimin e çmendurisë”. Copeland shtrin kompozimin e tij me “Miss Gradenko”, një rikthim muzikor në fusion reggae / new wave të grupit. Tregim i shkurtër me një bas të shkëlqyeshëm dhe shumë të matur, teksti tregon për një romancë në mes të një burokracie komuniste të krijuar nga paranoja në Kremlin.
Ana e parë e Albumit mbyllet me “Synchronicity II”, kënga më dinamike dhe më e mirë në album dhe e vetmja këngë në në album me një aranzhim të plotë, hard rock duke filluar me vokalet vajtuese të Sting, pasazhet fantastike të kitarës nga Summers, duke kaluar nga akordet në modelet e notave. Toni muzikor ndjek nga afër tekstet, të cilat përshkruajnë ditën e punës dhe jetën shtëpiake të një njeriu dhe e krahasojnë atë me përbindëshin e Loch Ness-it. Në përgjithësi, kjo këngë e cila arriti në Top 20 në të dy anët e Atlantikut, tingëllon si asnjë këngë tjetër më parë nga Police dhe është një klasik i vërtetë i viteve 80 -a.
Ana e dytë e albumit fillon me “Every Breath You Take”(Çdo frymëmarrje që merr) një këngë pothuajse tërësisht e ndërtuar mbi kolonën zanore të Summers me ritmin e thjeshtuar dhe vokalet baladike të Sting. Pasazhet instrumentale përmbajnë disa nota pianoje të vendosura mirë dhe Copeland tregon vetëpërmbajtje të madhe nga rrahja energjike e baterive që shndërron këngën, e cila në të vërtetë është mjaft dinamike, por në mënyrë mashtruese jep një atmosferë balade.
Në përgjithësi, “Every Breath You Take” u bë një nga këngët më të suksesshme ndonjëherë, duke kryesuar listat e Billboard për nëntë javë dhe kënga fitoi këngën e vitit në çmimet Grammy 1984. “King of Pain” (Mbreti i dhimbjes) është një melodi e thjeshtë kënge e cila shndërrohet në një korje të Karaibeve të theksuar nga një rok tingull pak sa më i pastër. Kënga shfaq gjenialitetin instrumental të grupit, dhe kitarës nga Summers. Lirikisht, Sting i referohet ndodhive të dhimbshme të përditshmërisë për të simbolizuar zhgënjimet e jetës me rrëfimtarin që e sheh fatin e tij si të paracaktuar.
“Wrapped Around Your Finger” (I mbështjellur rreth gishtit tënd) është një baladë klasike me një atmosferë ambientale të shkëlqyeshme ashtu si “Every Breath You Take”, por nga një këndvështrim tjetër dhe me tekste superiore që i referohen personazheve mitologjikë dhe letrarë.
Basi i drejtuar në këngën “Tea in the Sahara” (Çaji në Sahara) përfundon LP-në origjinale dhe e çon skenën e përgjithshme në një përfundim në shkretëtirë. Performanca e Sting është më solo se kudo tjetër në album, me basin kryesor dhe tekstin e bazuar në romanin “The Sheltering Sky” (Qielli i strehuar) nga Paul Bowles. Një hyrje e gjatë baterish bën intron e “Murder by Numbers” (Vrasja me numra), të bashkë-shkruar nga Sting dhe Summers. Melodia plotësisht shndërrohet në një numër kabre me tekste që krahasojnë fuqinë politike me zhvillimin e një vrasësi serial.
Synchronicity arriti numrin një në shumë vende dhe u nominua për “Albumin e Vitit” në Grammy. Synchronicity është shfaqur në lista të shumta të albumeve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Në vitin 2000, ai u rendit në numrin 91 në librin e Virgin All Time Top 1000 Albums.
Rock and Roll Hall of Fame përpiloi një listë të albumeve “The Definitive 200” në 2007, duke e vendosur Synchronicity në numrin 119. Në vitin 2009, Synchronicity u fut në Hall of Fame Grammy. Synchronicity u përfshi në librin 1001 albume që duhet të dëgjoni përpara se të vdisni dhe u zgjodh nga Biblioteka e Kongresit të SHBA për t’u ruajtur në Regjistrin Kombëtar të Trashëgimisë në vitin 2023.
The Police u nis në një turne botëror njëvjeçar, i cili përfundoi me një ndërprerje që në fakt ishte fundi i grupit. Sting, Andy Summers, Stuart Copeland bëjnë solo karrierë impresive në shumë fusha të artit e të cilat vazhdojnë deri sot, por albumi “Synchronicity” mbetet vepër unike si një gurëthemel, për gjithçka çka kanë bërë ata më vonë dhe jo vetëm ata./Katror.info
Përgatiti:
