Ndërsa presim që kualifikueset e Kupës së Botës 2026 të rifillojnë, me listën e ekipeve të kualifikuara që potencialisht do të zgjerohet në këtë dritare të tetorit, “Adidas”-i prezantoi sot topin zyrtar të ndeshjeve për turneun final që do të zhvillohet midis Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë.
Topi zyrtar i ndeshjes për Kupën e Botës 2026 do të quhet “Trionda”, një nderim për tre kombet që do të presin Kupën e Botës FIFA.
I ndërtuar me një dizajn krejt të ri me katër panele dhe performancë të lartë.
Çdo panel përmban ngjyrat e kombeve – të kuqe, blu dhe jeshile – që lidhen në një trekëndësh në qendër të panelit, duke simbolizuar tre kombe që bashkohen për të pritur turneun për herë të parë.
Tre kombet pritëse festohen gjithashtu me përfshirjen e ikonografisë së rëndësishme për vendet, duke përfshirë një yll për SHBA-të, një gjethe panje për Kanadanë dhe një shqiponjë për Meksikën.
Ikonat janë vendosur në mënyrë të dallueshme në panele, si dhe janë të stampuara me delikatesë në bazën mat të topit.
Dizajni është përfunduar me zbukurime ari, një homazh për trofeun e Kupës së Botës.
“Trionda” gjithashtu paraqet evolucionin më të fundit të teknologjisë “Adidas Connected Ball” në formën e një sistemi inovativ çipi të montuar.
Çipi i sensorit të lëvizjes IMU (njësia e matjes inerciale) 500Hz tani ndodhet brenda një shtrese të personalizuar në njërën nga katër panelet, në vend që të montohet në mënyrë qendrore, dhe mbahet në vend nga një sistem. Shtimi i kundërpeshave në tre panelet e tjera siguron stabilitet dhe ekuilibër të vazhdueshëm në ajër.
Topi “Trionda” kushton 160 euro dhe është i disponueshëm për blerje sot në dyqanet “Adidas”./Katror.info