Shqipëria ka avantazh në prodhimin e hershëm bujqësor, por renditet e fundit në rajon për zhvillimin e agroindustrisë – një sektor që shumëfishon vlerën e produkteve bujqësore.
Sipas një analize të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, në vitin 2022 prodhimi agroushqimor për frymë në Shqipëri ishte vetëm 76 USD. Në krahasim, Kosova kryesonte me 387 USD për frymë, e ndjekur nga Serbia (278 USD), Maqedonia e Veriut (177 USD), Bosnja (158 USD) dhe Mali i Zi (129 USD).
Si pasojë, Shqipëria ka pjesën më të ulët të eksporteve agroushqimore në rajon dhe një gamë shumë të ngushtë produktesh për eksport. Ndërkohë, Serbia dominon si në prodhim ashtu edhe në eksporte, duke rritur pozicionin e saj në tregjet ndërkombëtare, përcjell Radio Dukagjini.
Në vitin 2023, Shqipëria kishte një deficit tregtar në produktet agroushqimore në masën -1% të PBB-së, ndonëse më mirë krahasuar me vitin 2010 kur ishte -4%.
Raporti rekomandon që Shqipëria të rrisë diversifikimin e produkteve dhe tregjeve, si dhe të ndërtojë një sistem rajonal për gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore për të fituar besimin e tregjeve evropiane.
Zhvillimi i agro-turizmit dhe investimet në teknologji e prodhimin bio shihen si mundësi për të rritur vlerën e produkteve vendase.
Megjithëse agroindustria shqiptare ka pasur një zhvillim të shpejtë në 6 vitet e fundit, rënia e euros ka goditur fabrikat, duke i detyruar ato të ulin aktivitetin për shkak të humbjeve nga kursi i këmbimit. /Katror.info
Përgatiti:
