Trajneri kosovar, Albert Sylejmani, ka përfunduar me sukses fazën e parë të Programit FIBA Europe Coaching Certificate (FECC), pas pranimit të tij me propozim të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), shkruan Katror.info.
Faza e parë e programit u zhvillua në Izrael nga 9 deri më 17 gusht 2025, gjatë turneut FIBA U16 EuroBasket, ku morën pjesë 62 trajnerë nga 43 shtete të ndryshme. Programi përfshiu ligjërime nga emra të njohur të basketbollit botëror, përfshirë Janez Drvaric, Nenad Trunic, Aysim Altay, Luka Milanovic, Erdem Can dhe Israel Gonzalez.
Albert Sylejmani do të vazhdojë të jetë pjesë e edicionit të 10-të të programit FECC 2025–27, i fokusuar në zhvillimin e trajnerëve të gjeneratave të reja.
Nga ky program kanë diplomuar edhe trajnerë të tjerë të nominuar nga FBK, si Driton Obërtinca, Valentin Spaqi, Gyltekin Selimi, Dritëro Sefaja, Edon Godeni, Petrit Zeqiri dhe Ilir Selmani.
Federata e Basketbollit të Kosovës vazhdon të investojë në edukimin ndërkombëtar të trajnerëve kosovarë, duke krijuar themele të forta për të ardhmen e basketbollit në vend./Katror.info.