Ishte nevoja për drejtësi, ajo që e kishte tërhequr më shumë Artanin për të zgjedhur pikërisht këtë drejtim për studime e që padyshim ishte ndikuar shumë nga përvojat e tij, kur si i vogël ishte trajtuar padrejtësisht.
„Ligji është një konsensus i popullatës për bashkëjetesë, në bazë të rregullave të vendosura nga shteti, e po ashtu edhe kufizim i disa të drejtave, gjithmonë me pëlqimin e të dyja palëve“. Kështu e përkufizon ligjin Artani kur e pyesim se pse pikërisht kishte zgjedhur drejtësinë, shkruan Albinfo.
Më 2014, pas studimeve të nivelit Master në Drejtësi, Artan Sadiku, pajiset edhe me Licencën për Avokat, duke qenë kështu avokati i parë shqiptar në Luzern. Pas disa punëve të përkohshme në zyra avokatie, ai në vitin 2016, i bashkohet ekipit të firmës së Avokatëve “Meier Rechtsanwälte”, në Luzern.
Të drejtat penale, si raste më të shpeshta, e po ashtu edhe e drejta biznesore, ato familjare, janë vetëm disa nga fushat me të cilat Artanit i duhet të merret më shpesh dhe po ashtu, të ngjitet në shkallët e gjykatave.
Ai thotë se, krahasuar me vitet e mëhershme, tashmë çdo ditë e më shumë sheh shqiptarë që punojnë në institucione të larta të Zvicrës, përfshirë edhe gjykatat.
Por edhe pse shpesh të sulmuar padrejtësisht si kryes të veprave të shumta, sipas avokatit, kjo është më shumë propagandë mediale, sepse pjesëtarët e komunitetit shqiptar të akuzuar për krime të ndryshme në Zvicer, janë në të njëjtën shkallë me komunitetet tjera të të huajve.
Duke parë se numri i juristëve shqiptarë në Zvicër po rritet dita-ditës, me vetiniciativë Artani kishte kontaktuar disa avokatë të tjerë, duke bërë kështu hapat e parë për rrjetëzimin, apo edhe formimin e një shoqate të juristëve shqiptarë. Por edhe pse iniciativa ishte përkrahur nga Ministria e Diasporës në Kosovë, fatkeqësisht, mbeti vetëm një rrjetëzim në tentativë.
Pos në punët e avokatisë, Artanin e gjejmë shpesh edhe në bashkëpunim me Shtëpitë e Grave, ku ndihmon gratë shqiptare, që pas problemeve të ndryshme familjare (divorce, zënka, etj.), tii njohin dhe t’i kenë të drejtat e tyre, shërbim të cilin e kryen pa pagesë.
Po ashtu edhe fëmijëve shqiptarë që preken nga këto probleme, shpesh u del në ndihmë, duke shtuar këtu që është edhe përkthyes ligjor në 4 gjuhë./Katror.info