Në një largim të guximshëm nga mjedisi konvencional i galerive të artit, Besart Zhuja ka sjellë në jetë ekspozitën e tij të fundit brenda kufijve privatë të banesës së tij, duke ofruar një përvojë unike për entuziastët e artit në Prishtinë. Ekspozita shpalos disa prej poezive të librit “Ri-zgjohem”, disa poezi të reja e konstalacione artistike – të gjitha të mishëruara në temën “180 shkallë”.
Ajo fton vizitorët të eksplorojnë temat e paqes, dashurisë dhe ekzistencializmit, të gjitha të vendosura brenda banesës private të artisit multidimensional Besart Zhuja.
“E veçanta e kësaj ekspozite pikërisht qëndron te ky element që e ka mbajtur në banesën e tij, në një hapësirë interesante dhe ekspozita ishte interesante, sidomos më nxitën shumë pjesa e poezive, dmth një mesazh për më shumë art, për më shumë paqe, më shumë dashuri, më shumë partneritet, e më shumë sinqeritet. Kjo ishte pak a shumë thirrja e zotit Zhuja ndaj audiencës unë u kënaqa për vete….Alternativë e mirë, njëfarë inovacioni që e ka bërë në këtë rast zoti Zhuja. Natyrisht kjo është një thrrje që të ketë më shumë art edhe në hapësirat publike. Prishtinës I mungon sidomos arti në hapësirat publike”, tha Bekim Salihu, mik i autorit.
Një nga vizitorët e ekspozitës, Nancy Soderberg, drejtore ekzekutive e Institutit Kombëtar të Demokracisë (NDI) në Kosovë, reflekton mbi gjallërinë e rrugëtimit të ekspozitës nëpër shtëpinë e Zhujës.
“Është një ekspozitë shumë shpirtërore, fillon në kuzhinë, më pas kalon në dhomën e ndenjes dhe përfundon te ky njeri që jeton përgjithmonë… dhe kjo të bën të mendosh se si ndërveprojmë, kujdesemi për njëri-tjetrin, përballemi me konflikte dhe përfshihemi në diskutime të gjalla për çështje më të mëdha. Është vërtetë e shkëlqyer,” thotë për Katror Media, zonja Soderbergh, e cila si pjesë e organizatës që ka parë tash 25 vjet zhvillimin e demokracisë në Kosovë, të rinjtë si Besart Zhuja, i sheh si forcën e së ardhmes..
“Të rinjtë janë e ardhmja e Kosovës. Fakti që ata janë këtu duke u marrë me poezi dhe art të bukur, krahas talentit muzikor të Besartit, flet shumë. Është privilegj të festosh artin me ta”, Sodenberg.
Për vetë artistin multidimensional, Besart Zhujën, kjo ekspozitë është më shumë se vetëm një ekspoze e punës së tij; është një mesazh i qëllimshëm që ai synon të përcjellë.
“Ne jemi mësuar gjithmonë me vende konvencionale të ekspozimit të veprave tona aristike jam munduar me i shmang këto pjesët konvencionale, një ekspozitë pak më intime dhe me rujt atë pjesën e Prishtinës, një urbanizëm të skenës alternative të artit prandaj kam besu që një apartament privat në të cilin nuk jemi futur akoma me jetu është një vend ideal edhe i përshtatshëm për me zhvillu një ekspozitë të tillë,” tha Zhuja.
E ndarë në tri pjesë – duke simbolizuar materializmin, debatin dhe ekzistencializmin – ekspozita shtjellon tema të thella duke përqafuar komoditetin e shtëpisë.
“Është pjesa e kuzhinës që nënkupton materializmin, ka të bëjë me pozitë materialistike, ajo dëshira për me pasë ma shumë. Dhoma e ditës nëkupton debatin, paqen konfliktin, mirëkuptimin, mirëbesimin, të gjitha këto janë të lidhura dhe eksponatet në këtë kuadër I ëprshtatën poezive. Derisa te pjesa lart e kemi një libër që nuk është pjesë e librit, por është poezi premierë e cila flet për botën e përtejme, ekzistencializmin që unë e kam si temë që du ata trajtoj akoma më tepër,” shprehet ai.
Lundrimi në logjistikën e organizimit të një ekspozite në një hapësirë private paraqiste sfida, por Zhuja sheh më shumë pozitivet sesa vështirësi.
“Ka qenë vështirësi në logjistikë… por i ka pjesët tjera pozitive, osht hapesira private që e menaxhon qysh do ti, kurimin e ben qysh ti don…”
Po, sa mund të përqafojë publiku artin që largohet nga konvencionalja:
“Arti nuk bëhet me referendum në asnjë vend, arti paraqitet, ai respektohet e pranohet. Psh kur është vendosur kulla e eifelit ka pasur rezistëncë dhe e kanë quajtur shëmti për hapësirën publike, por sot të hyrat kryesore Parisi I ka përmes atij monumenti. Kështu që artistët dinë të kirjojnë dhe dinë të mendojnë objekte që i qëndrojnë kohës,” thotë Bekim Salihu.
Ndërsa vizitorët kalojnë nëpër banesën e Zhujës, duke ndeshur me poezi, dhe konstelacione tjera artistike, kufijtë midis hapësirave tradicionale të artit dhe fushave personale mjegullohen, duke ofruar një vështrim në ndërlidhjen e krijimtarisë, shprehjes dhe jetës së përditshme./Katror.info