Hani i Elezit, për herë të parë në historinë e tij, do të jetë nikoqir i një festivali ndërkombëtar kulturor – CrossRoadsFest 2025, i cili do të zhvillohet nga 18 deri më 20 korrik.
Nën moton e lidhjes së kulturave dhe komuniteteve përmes artit, festivali premton tri ditë të mbushura me muzikë, teatër, performanca rrugore, punëtori, ecje në natyrë dhe aktivitete për të gjitha moshat.
Festë që shkon përtej kufijve
CrossRoadsFest nis më 18 korrik në ora 20:30 me ceremoninë hapëse tek Memoriali “Bllaca 99”, simbol i historisë dhe lëvizjes së lirë.
Mbrëmja e parë do të kurorëzohet me performancën e Korit Siparantum, një ndër ansamblet korale më të njohura shqiptarë në arenën ndërkombëtare, si dhe me koncertin e Shpend Hysajt & Band.
Program i pasur dhe i larmishëm
Festivali do të zhvillohet në disa lokacione të komunës, përfshirë Qendrën Kulturore “Imri Curri”, Parkun “Te Pishat” në fshatin Goranc, dhe Memorialin “Bllaca 99”. Programi përfshin:
- Punëtori kreative për të rinj dhe fëmijë, me emra të njohur si Meli Qena dhe artistja italiane Brianda Carreras.
- “Hiking i Kujtesës”, më 19 korrik, një ecje përmes natyrës dhe kujtesës kolektive në peizazhin malor të Hanit të Elezit.
- “Green Path Workshop” me alpinistin Bedri Bushi, për të mësuar mbi jetesën në natyrë dhe qëndrueshmërinë.
- Edona Reshitaj do të performojë live më 19 korrik
- Instalacione drite dhe performancë audio-vizuale nga Florian Çanga dhe Alzan Gashi, më 19 korrik, në ambientin industrial të Sharrcem.
Performanca ndërkombëtare dhe trashëgimi kulturore
Artisti spanjoll Insolita Company nga Barcelona do të sjellë performanca rrugore për të gjitha moshat – me mimë, humor dhe lojë fizike që përcjellin emocion pa fjalë.
Po ashtu, më 20 korrik, nata e fundit do të mbyllet me një koncert madhështor të muzikës tradicionale shqiptare me Nezafete Shala, Njazi Shala, Asim Shala dhe Ramadan Zeqiri, në një mbrëmje që nderon trashëgiminë muzikore.
Bashkim përmes artit
Organizuar nga Shoqata e Gruas “DUA”, CrossRoadsFest 2025 synon të shndërrojë Hanin e Elezit nga një qytet kufitar në një pikë takimi kulturor – ku historia, natyra dhe arti krijojnë urë lidhëse mes njerëzve.
Për të gjithë dashamirët e kulturës, natyrës dhe artit – CrossRoadsFest është vendi ku duhet të jeni këtë korrik.
Katror Media është partner medial i këtij festivali të parë kulturor në Han të Elezit – afër artit, afër kulturës, afër njerëzve tanë krijues!