Artisti nga Kosova me famë ndërkombëtare Petrit Halilaj ka vendosur të hapë në Runik fondacionin e tij, dhe një ndër punët që synon ta realizojë është funksionalizimi i Shtëpisë së Kulturës në këtë fshat të Skenderajt.
Në krye të fondacionit e ka vendosur Adrian Berishën, i cili për një kohë shërbeu në Komunën e Prishtinës si drejtor i Kulturës.
Ky i fundit, në një intervistë në emisionin “Ora e Pasdites”, tregoi se si fondacioni “Hajde” do ta ndihmojë Kosovën, në veçanti Runikun, cilat janë fokuset kryesore të fondacionit, si dhe shumëçka tjetër.
“Për mua është shumë kënaqësi që të bashkëpunoj me Petritin, kur e sheh se çfarë bën Petriti për vendin e tij, është diçka e jashtëzakonshme. Fondacioni kryesisht ka për qëllim funksionin në fushën e artit dhe kulturës. Gjatë këtij viti i kemi dy projekte shumë të rëndësishme ku njëri prej tyre është Shtëpia e Kulturës në Runik. Okarina, si njëri prej instrumenteve më të vjetra muzikore e cila është gjendur në Ballkan, është gjendur pikërisht në Runik, tani ne të gjitha këto dëshirojmë me i shndërru në hapësirë muzeale ku e tregojnë të gjithë historinë e Runikut. Ne e kemi finalizu detyrën projektuese, jemi duke i pritur komentet nga Ministria e Kulturës dhe komuna e Skenderajt, besojmë që në javën e parë të muajit maj e bëjmë një thirrje të hapur”, u shpreh Berisha./Katror.info