Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mori pjesë në një vizitë historike në komandën më të madhe të NATO-s në Napoli, Itali, e ftuar nga Admirali Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta që mbulon Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën.
Gjatë vizitës, Jahjaga diskutoi me ekipin drejtues të NATO-s për integrimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në operacionet aktuale dhe të ardhshme, si dhe shkëmbeu mendime mbi rolin e Kosovës si partnere për paqe dhe stabilitet në rajon.
Ajo përgëzoi Admiralin Munsch për punën e jashtëzakonshme të NATO-s dhe të misionit të KFOR-it në Kosovë, i cili për më shumë se dy dekada ka garantuar një mjedis të sigurt për qytetarët. Jahjaga rikujtoi edhe rëndësinë historike të ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, që shpëtoi popullin e Kosovës nga gjenocidi serb dhe hapi rrugën drejt lirisë.
Në përfundim, Jahjaga shprehu mirënjohjen e saj për partneritetin dhe miqësinë që NATO dhe Admirali Munsch kanë ndërtuar me Kosovën, duke theksuar se paqja ruhet jo vetëm përmes forcave ushtarake, por edhe përmes vlerave demokratike të përbashkëta./Katror.info