Institucioni i Avokatit të Popullit ka kërkuar pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) për tregun e lirë të energjisë deri në përfundimin e hetimeve dhe shqyrtimin e plotë të aspekteve ligjore, sociale dhe ekonomike që lidhen me këtë çështje, shkruan Katror.info
Në një opinion Ex Officio, Avokati i Popullit ka shprehur shqetësime lidhur me rritjen prej 16.1% të tarifave të energjisë elektrike, duke vënë në pah ndikimin e drejtpërdrejtë që kjo ka në rritjen e kostos së jetesës dhe rëndimin e situatës për konsumatorët në nevojë dhe familjet që përfitojnë asistencë sociale.
Në opinion theksohet mungesa e bashkërendimit ndërinstitucional dhe mosrespektimi i nenit 49 të Ligjit për Energjinë Elektrike, i cili kërkon konsultim të detyrueshëm ndërmjet ZRRE-së dhe institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve vulnerabël.
Avokati i Popullit vlerëson se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi ligjore të sigurojë masa mbrojtëse për kategoritë e cenueshme, si dhe të krijojë kushte të favorshme për liberalizimin e tregut të energjisë, duke shmangur krijimin e monopolit dhe duke mbështetur komunitetin e biznesit.
Në opinion theksohet gjithashtu se vendimet e marra në mungesë të institucioneve të plota kanë penguar një proces të balancuar dhe transparent, duke rritur mosbesimin publik dhe duke thelluar ndjenjën e papërgjegjshmërisë institucionale.
Avokati i Popullit i bën thirrje institucioneve të përkatësme të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme, duke garantuar një proces të drejtë dhe të hapur në menaxhimin e çështjes së energjisë elektrike në vend./Katror.info