Baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria” u prezantua nga Baleti Kombëtar i Kosovës në Korenë e Jugut. “Përfaqësim i shkëlqyer i balerinëve tanë në festivalin Cheonan World Dance Festival,” ka shkruar Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.
Kjo është hera e parë që Baleti Kombëtar i Kosovës prezantohet në ndonjë festival në Azi. Festivali “Cheonan World Dance Festival 2024” mbahet në qytetin Cheonan të Koresë së Jugut.
Në këtë festival, BKK është paraparë të prezantohet me pjesë nga tri shfaqje, pat thënë para nisjes drejtori i BBK, Sinan Kajtazi.
“BKK do te paraqitet me pjesë nga tri shfaqje të repertorit, konform formatit të festivalit dhe shfaqjet janë ‘Aeon’, ‘Halili dhe Hajria’ dhe pjesë nga shfaqja ‘Tango Nights’”, ka thënë drejtori Kajtazi.
Paraqitjet e BKK në “Cheonan World Dance Festival 2024” do të jenë në data: 26, 28, 29 dhe 30 shtator 2024, në vende dhe skena të ndryshme, sipas itinerarit të këtij festivali.
Drejtorja artistike e Chopin Piano Fest, Lejla Pula, ka përgëzuar trupën e Baletit.
“Pergezime dhe urime te perzemerta te gjithe pjesemarresve per nje perfaqesim tejet dinjitoz te Trupes se Baletit Kombetar te Kosoves ne Korene Jugore ne kuader te “Cheonan World Dance Festival.” Perjetim i paharruar te valavitjes se Flamurit te Kosoves ne Skenen prestigjioze te artit boteror te baletit!,” ka shkruar ajo në Facebook./Katror.info