Ka nisur zbatimi i vendimit të Komunës së Prishtinës për mbylljen e rrugës “Fehmi Agani” për automjete deri më 31 gusht. Sipas njoftimit, kjo rrugë do të jetë e bllokuar çdo natë nga ora 21:00 deri në orën 02:00.
Banorët e njërës prej rrugëve më të frekuentura në kryeqytet, për shkak të numrit të madh të kafeterive, siç edhe e mban në zhargonin e përditshëm emrin si te “Kafet e vogla”, nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale kanë mirërpritur vendimin për ndalim të veturave për shkak të zhurmës dhe tollovisë së krijuar nga ato.
Megjithatë, sipas njoftimit, nga ndalimi janë përjashtuar, mjetet motorike me rëndësi të veçantë, mjetet për intervenime nga institucionet kompetente, si policia, inspektorati, automjetet emergjente dhe banorët e lagjes.
“Pas koordinimit me Kosovo Police dhe duke marrë parasysh kërkesat e shumta nga qytetarët, njoftojmë se rruga “Fehmi Agani” (nga kryqëzimi me rrugën “Migjeni” deri te kryqëzimi me rrugën “UÇK”) do të mbyllet për qarkullim deri më 31.08.2024, çdo natë nga ora 21:00 deri në orën 02:00″, thuhet në njoftimin e Komunës./Katror.info